/2L ONLINE/ – Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit ka trajtuar edhe pikën e rendit të ditës që kishte të bënte me rregullimin e kanalizimeve dhe sistemimin e ujërave të zeza, të rregullimit të shtratit të lumit Mirusha e Stanishorka, për çka komuna do të aplikojë për një kredi te qeveria austriake, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, e për të cilën tani duhej një vendim komunal. Kjo në parim u mbështet edhe nga opozita, por e cila u përmbajt nga votimi për shkak se nuk kaloi propozim i saj për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ajo t’i marr obligimet e kësaj kredie sepse një gjë e tillë për komunën do të ishte barrë e madhe.
Pra, debate fërkuese pozitë-opozita pati rreth borxheve-obligimeve që po krijohen duke u përmendur edhe ato të trashëguarat, për të cilat mendimet ishin të ndara. Bajram Hasani (NISMA), anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka thënë se projekti si projekt është i mirë, por Komuna nuk do të duhej të ishte e lumtur që po hyn tani në obligime, bile për 15.5 vite, pasi e mira do të ishte sikur qeverisja komunale të kishte siguruar ndonjë donacion për këtë projekt, e jo kredi që duhet kthyer.
Hasani tha se pikërisht LDK-ja që tani është në pushtet ishte shumë kritike në qeverisjen e kaluar për hyrje në borxhe, por edhe mjetet e borxheve të kaluara janë investuar diku.
“Mendojë se edhe përkundër kushteve të mira të kthimit të kredisë prapë janë obligim i madh për komunën, për qeverisjet e ardhme për ta shlyer obligimin. Sot propozova, por edhe të gjithë anëtarët e Kuvendit nga opozita kërkuan që për obligimet nga kjo kredi të gjendet forma nga qeveria, që ti marr ajo obligimet, që komunën të mos e lë në borxhe”, ka thënë Hasani për 2L ONLINE.
Rreth kësaj çështje pati edhe deklarata të tilla, më tepër show para kamerës, sesa serioze, ku fillimisht kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku- Rexhepi u shpreh se opozita nuk duhet të “gajlohet” për këtë obligim sepse LDK do të jetë në pushtet edhe për 15 vitet e ardhshme (kohëzgjatja për kthim kredie), dhe se do t’i “lajnë” borxhet pa kurrfarë problemi, por kësaj iu kundërpërgjigj po në të njëjtin stil Bajram Hasani i NISMA-s, i cili theksoi se “pas 15 vitesh do të shohim se ju të LDK-së do të jeni krejt n’burg”. Përndryshe, kryesuesja dha një pauzë për t’u rikthyer në seancë ku në rend dite do të jetë raporti që ka të bëjë me EcoHigjienë. /2L ONLINE/