(2L ONLINE) – Kuvendi Komunal I Gjilanit, të martën në mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka miratuar vendimin për themelimin e Grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit Komunal, Draft-projektin e manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, vendimin për kompensimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në kompanitë “Stacioni i Autobusëve” dhe “Ecohigjiena”, Raportin e Komisionit komunal për zgjedhjen e këshillave lokale, vendimin për kompensimin e anëtarëve të komisionit për zgjedhjen e këshillave lokale, ndërkaq Raportin vjetor të kompanisë “Stacioni i Autobusëve”, pas një diskutimi të gjatë, e ka kthyer në Komitetin për Politikë dhe Financa, meqë nuk mori asnjë votë.
Për seancën e radhës janë shtyrë edhe informatat për ndërtimet pa leje si dhe për investimet kapitale, derisa informata për gjendjen në arsim, është diskutuar gjerësisht nga anëtarët e Kuvendit Komunal.
Me propozimin e kryesues së Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, u vendos që komisioni për hartimin e planit vjetor të punës së Kuvendit Komunal, që fillimisht ishte paraparë t`i ketë 7 anëtarë, të zgjerohet në 9 anëtarë, për t`iu dhënë mundësi përfaqësimi të gjitha grupeve dhe subjekteve politike në asamblenë komunale.
Sa i përket manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, Bujar Haziri, përgjegjës për Kulturë, tha se fizionomia e manifestimit do të ruhet. Ideja është që “Talia e Flakës” të mos ketë karakter garues, por një Festival i Dramës Shqipe të mbahet në maj, bashkë me një program të muzikës xhaz.
Kuvendi Komunal i ka dhënë mbështetje të plotë draft-projektit të “Flaka e Janarit 2015”, me një sugjerim që të ruhet niveli që ka arritur tashmë ky manifestim.
Po ashtu Kuvendi miratoi edhe vendimin për kompensimin mujor të anëtarëve të Komisioneve komunale të aksionarëve në kompanitë publike “Stacioni i Autobusëve” dhe “Ecohigjiena”, që do të jetë një pagesë bazë prej 100 euro si dhe nga 50 të tjera për çdo takim të mbajtur, por jo më shumë se dy brenda muajit.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal sqaroi se për muajt e kaluar, pagesa do të bëhet sipas vendimit të vjetër.
Një raport për formimin e këshillave lokale e ka paraqitur Avdyl Aliu, i cili tha se në kuadër të një pilot-projekti që është mbështetur nga Ambasada Amerikane, janë themeluar këshillat lokale në dhjetë fshatra, duke respektuar edhe kriterin gjinor e etnik.
Mbi këtë bazë do të vazhdohet edhe në të ardhmen, deri në zgjedhjen e këshillit të fundit lokal, për të siguruar një qeverisje të afërt me qytetarin, ka thënë Aliu.
Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe vendimin për kompensimin e anëtarëve të Komisionit për zgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane, në vlerë prej 50 euro për çdo takim të mbajtur e që duhet të dëshmohet me procesverbal.
Këshilltarët komunalë u njoftuan edhe për gjendjen në arsim, që ishte kërkesë e opozitës, me ç`rast drejtori Nazmi Musa dha edhe përgjigje shtesë, pos informatës me shkrim. /2L ONLINE/