Është momenti i fundit që në Kosovë të reagojë prokuroria e shtetit dhe t`i ndalojë dallaveret me konkurse. Mjafton t`i marrë dhe analizojë mënyrat e punësimit, t`i krahasojë kushtet dhe kriteret, të shqyrtojë procedurën dhe do të gjejë parregullsi dhe favorizime në çdo punësim nëpër institucione dhe agjenci të shtetit në Kosovë.
Xhylije IBRAHIMI
Në Kosovë, kualifikimi shkollor nuk është kriter për punësim. Kriter kryesor për të siguruar një vend pune, është lidhja me politikën. Vendet e punës në shtetin tonë, i ndajnë politikanët. Po nuk pate lidhje me ta, kot sorollatesh nëpër konkurse e korridore, kot ankohesh nëpër komisione, në Këshillin e (Pa) Varur Mbikëqyrës, në gjykata e gjetiu, sepse edhe atje politika i ka njerëzit e vetë dhe atyre nuk ua prish kush.
Unë dhe disa të tjerë aplikuan dhe ri-aplikuan për një vend pune në Agjencionin Kosovar të Statistikave, por në fund na “mundi” një kandidat me përgatitje më të ultë shkollore, me më pak ose hiq përvojë relevante, i cili “doli” bindshëm më i mirë se ne të tjerët. Ne u ankuan disa herë, edhe pse gjatë kohës sa u sorollatëm nëpër korridoret e këtij agjensioni, na ra t`i dëgjojmë disa zyrtarë duke pëshpëritur se “ky është kandidat i filan politikanit”, që nënkuptonte se ne të tjerët e kishim të kotë. Ashtu edhe doli.
As Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës nuk e ndryshoi vendimin e komisionit rekrutues. Madje e arsyetoi atë. Nuk u morën parasysh dëshmitë tona, si kundër kandidatë, për favorizimin e hapur të personit të caktuar (të cilit ne nuk ia mohojmë në asnjë rast të drejtën e konkurrencës së barabartë), për lejimin e përdorimit të telefonave të mençur, herën e parë dhe fletëzave të përgatitura me përgjigje, herën e dytë, nuk u mor parasysh as fakti se në listën e pyetjeve, të nxjerra nga “Pyetje me përgjigje të shumëfishta për procedurën e rekrutimit në shërbimin civil të Kosovës”, përgjigjet e sakta ishin të nënvizuara, as përshtatja e konkursit (herën e dytë dhe të tretë) me kushtet e kandidatit të paracaktuar, meqë herën e parë kishte dështuar të kalonte testin si dhe shumë e shumë manipulime të tjera.
Ka zëra nga brenda që thonë se edhe aplikimi i një kandidati nga radhët e komuniteteve, për të plotësuar kriterin etnik, është bërë jashtë afatit ligjor, por problemi është se askush nuk e merr guximin ta thotë këtë hapur. Të gjitha këto vërejtje, me gojë e me shkrim, para komisionit rekrutes, ankimor dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë marrë parasysh.
Është momenti që në Kosovë të reagojë prokuroria e shtetit dhe t`i ndalojë këto dallavere me konkurse. Mjafton t`i marrë dhe analizojë mënyrat e punësimit, t`i krahasojë kushtet dhe kriteret, të shqyrtojë procedurën dhe do të gjejë parregullsi dhe favorizime në çdo punësim. Por, tani për tani, po heshtin të gjithë. Adresa e vetme për të shpresuar në një vend pune, mbetet politika. E politikanët, kanë shumë njerëz të tyre për të punësuar (vëllezër, gra, kunata, motra e burra motrash, kushërinj, nipër e dajallarë) saqë ne të tjerët vështirë mund të vijmë në radhë, edhe pse kemi mbaruar fakultete e master.
Është e qartë se kjo klasë politikanësh nuk i favorizon njerëzit e dijshëm, por vetëm ata që iu shërbejnë dhe iu nënshtrohen, pavarësisht përgatitjes shkollore. Kjo është tepër e dukshme në Kosovë. Konkursi shpallet pasi të jetë paracaktuar kandidati. Habia më e madhe është që edhe institucionet e pavarura i legjitimojnë parregullsitë e padrejtësitë. A nuk është e provë e mjaftueshme për t`u bindur se në një konkurs ka dallavere fakti që shpallet tri herë dhe gjithmonë del fitues i njëjti kandidat, pavarësisht numrit të konkurrentëve. E, si është e mundur kjo ?.
Jo rastësisht, rinia e këtushme po ia kthen shpinën vendit të vetë, që këta politikanë na e kanë kthyer në një vend të huaj. Nuk na trajtojnë barabar, nuk na lënë të sfidohemi në konkurrencë, nuk favorizojnë në praktikë barazinë gjinore, edhe pse deklaritivisht e thonë këtë, na i mbyllin të gjitha rrugët e ekzistencës. Gjithçka duan për vete dhe për njerëzit e tyre.
A nuk ua tha këtë në sy, midis Prishtinës, diplomati anglez, para disa javësh. Po, këta nuk kanë vesh. Këta janë ata politikanët që para zgjedhjeve veshën me lëkurë qengji, e pas tyre bëhen ujqër. Po nejse, fajin e kemi edhe vetë, sepse u besojmë atyre që na mashtrojnë e ri-mashtrojnë, derisa vetë të futen nëpër zyra e neve na lënë sërish rrugëve, duke vrapuar për një vend pune.
Mbase shumica prej nesh do të arrijmë edhe moshën e pensionit, duke shpresuar që një ditë do të na vijë radhe, pasi që këta politikanë t`i kenë punësuar të gjithë familjarët dhe farefisin e tyre.
Haram ju qoftë besimi im!
(Autorja është master i diplomacisë prej tre vjetësh, e papunë)