(2LONLINE) – Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë të shtunën në Gjilan se programi zgjedhor i këtij subjekti politik është më i miri prej të gjitha partive politike dhe është plan pune për qeverisjen e vendit.. ndërsa duke kritikuar qeverisjen Thaçi ka thënë se ai nuk e ka pas idenë si qeveriset dhe se nuk mund t’i mashtrojë qytetarët edhe për herë të tretë me premtime të njëtja
Duke e vlerësuar të keqe qeverisjen e deritanishme me vendin, Haradinaj ka thënë se Hashim Thaçi asnjëherë nuk e ka pas idenë se si qeveriset me vendin , por ai i ka kërkuar deri më tani votat veç për të ardhur në qeverisje.
Duke iu referuar zgjedhjeve nacionale, që sipas tij janë në prag, i pari i Aleancës ka thënë se do të shkojnë në zgjedhje me një ofertë për drejtim të ri të qeverisjes me vendin, ndryshe ngase është qeverisur deri më tani.
Haradinaj, u tha strukturave të AAK-së në Gjilan, se së shpejti do ta kenë në duar programin zgjedhor , me këtë rast e ka lavdëruar atë si një program që është burimor, i hartuar nga ekspertë e AAK-së në bashkëpunim me ekspertët nga jashtë e që për dallim prej të tjerëve, është edhe plan qeverisës që do të zbatohet me AAK-në në qeverisje.
Për, këtë ka thënë Haradinaj edhe strukturat e AAK-së në Gjilan nuk do të jenë duarthatë kur të komunikojnë me qytetarin e Gjilanit për të kërkuar mbështetje, ndërsa u tha po ashtu se po që se e kërkon nevoja duhet të komunikohet me ta edhe shtëpi për shtëpi.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se Thaçi po mundohet të kërkojë edhe për herë të tretë besimin e qytetarëve me të njëjtat gjëra qysh i ka bërë qysh edhe herën e parë, por se, siç u shpreh ai, qytetari nuk mund të gënjehet edhe për të tretën herë.
“Çfarë është tepër , tepër është” , ka thënë Haradinaj për të shtuar se AAK-ja i ka njerëzit, e ka programin zgjedhor që është plan qeverisës e që kuadrot e AAK-së do të dinë ta zbatojnë dhe ka edhe modelin e 100 ditshin të qeverisjes Haradinaj ( 2004), andaj edhe qytetarët do ta përqafojnë dhe mbështesin atë.
Ndërsa edhe nënkryetari i AAK-së në nivelin qendror Ahmet Isufi ka thënë po ashtu se vendi nuk është qeverisur si duhet dhe për këtë qeveritë po duhet të shkojnë pa e përmbyll mandatin, ndërsa programi zgjedhor i AAK-së është për një jetë më të mirë për qytetarin.
Isufi ka rikujtuar 100 ditshin e qeverisjes Haradinaj për të thënë se pikërisht në atë periudhë Gjilani e ka pas tretmanin më të mirë, e jo si tani që është lënë krejtësisht padore, dhe se Gjilani e Anamorava prapë do ta ketë vëmendjen e duhur me AAK-në në qeverisje dhe Haradinajn kryeministër, ndërsa nuk e ka lënë pa e përmendur edhe Kosovën Lindore për të cilën tha se AAK e ka qasjen strategjike edhe ndaj kësaj çështje.
Ndërsa, kryetari i degës së AAK-së në Gjilan , Rexhep Kadriu , njëherësh nënkryetar komune tha se ndonëse nuk ishin rezultatet e pritura në zgjedhjet lokale, megjithatë AAK është në bashkëqeverisje dhe kjo bashkëqeverisje LDK – AAK në Gjilan, po funksionon mirë duke qenë madje edhe si model për nivel qendror.
Kadriu ka thënë se performanca e kuadrove të Aleancës në këtë bashkëqeverisje është e shkëlqyeshme , duke përmendur pastaj edhe të gjitha punët e mira që janë bërë edhe nga ai si nënkryetar por edhe në dy drejtori komunale , që drejtohen nga kuadrot e AAK-së, atë të Shërbimeve Publike dhe të Drejtorisë së Administratës, për çka edhe qytetari është i kënaqur.
Ndryshe, ai ka kërkuar nga strukturat e AAK-së që tani të punojnë edhe për zgjedhjet nacionale për të bërë që Kosova të qeveriset nga AAK-ja me kryeministër Ramush Haradinaj.
Në këtë drejtim ai tha se Gjilani është gati për të punuar që të hiqet kjo qeverisje e tanishme, që ai e quajti të keqe, e që i ka sjellë veç dëme qytetarit të Gjilanit e Kosovës. /2LONLINE/