Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e klubit të futbollit “Drita” të Gjilanit, e cila është shpallur kampione në superligën e Kosovës për këtë sezonë.
Gjatë takimit kryeministri Haradinaj i ka uruar përfaqësuesit e klubit të futbollit “Drita”, për suksesin e arritur, duke iu ofruar mbështetje në të ardhmen, pasi që siç tha kryeministri Haradinaj sportistët janë shembulli më i mirë i përfaqësimit të Kosovës në vend dhe jashtë vendi.
Kryeministri Haradinaj tha se sportistët tanë kanë treguar rezultate të mira dhe e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme duke arritur rezultate kulminante dhe për këtë do të kenë mbështetjen e Qeverisë përmes krijimit të kushteve më të mira për të gjitha sportet veçmas investimet në infrastrukturën sportive.
“Klubi “Drita” përveç talentëve dhe sportistëve, ka dhe një histori të mirë dhe ne krenohemi me themeluesin e saj, Selami Osmani – Bezi”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e të gjitha sporteve në Kosovë.
Përfaqësuesit e klubit të futbollit “Drita”, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen duke thënë se do të përgatiten për garat ndërkombëtare në mënyrë që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës, në mënyrën më të mirë.
Kryeministri Haradinaj, klubit të futbollit “Drita” i dhuroi medaljen e artë me hartën e Kosovës, si shenjë respekti dhe falënderimi për avancimin e sportit kosovarë, ndërkaq mori nga klubi fanellën me numrin 10 dhe me emrin e tij.