Kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar në profilin e tij në facebook, për takimin që ka pas me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani, Richard Grenell, ku ndër tjerash ai është shprehur edhe se “… Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin.
Ja postimi i plotë:
Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot zhvillova një takim me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell, të cilit i shpreha përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke.
Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin.
Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike.
Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!
RH