“Gjenerali Boyd, si një mik i vërtet i Kosovës është një inspirim i madh se si t’i shërbehet paqes dhe sigurisë duke mbrojtur të drejtën dhe respektin. Para 20 vjetësh, ushtria amerikane, ushtarët amerikan të NATO-s, djem dhe vajza të bashkuar me kombe të ndryshme, shpëtuan popullin tonë nga tragjedia dhe spastrimi etnik dhe me këtë rast dëshiroj të them se askush më mirë sesa gjeneral Boyd e kupton luftën tonë, përpjekjet tona në mbrojtje të nderit dhe lirisë”.
Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në pritjen lamtumirëse të organizuar për shefin e shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John C. Boyd.
Fillimisht kryeministri Haradinaj, ka zhvilluar një takim me gjeneralin Boyd, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, duke falënderuar për kontributin e vazhdueshëm që ushtarët e KFOR-it dhe NATO kanë dhënë në Kosovë në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë.
Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n dhe se populli ynë do të jetë përjetë mirënjohës për kontributin e madh që ushtria dhe populli amerikan kanë dhënë dhe po japin për vendin.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sot, gratë dhe burrat që shërbejnë në forcën tonë, duhet të kenë një shembull të një karriere të shkëlqyer dhe shërbimi sikurse gjenerali Boyd.
“Faleminderit shumë gjeneral Boyd për shërbimin tuaj. Zot bekoje Amerikën dhe qytetarët e saj. Zot bekoje ushtrinë amerikane. Zot bekoje gjeneralin Boyd dhe familjen e tij”, tha kryeministri Haradinaj.
Për kontributin e tij në Kosovë, Kryeministri Hardainaj në emër të Qeverisë së Kosovës i ka ndarë gjeneralit Boyd, Hartën e Artë të Kosovës.
Shefi i shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John C. Boyd, tha se ka nderin që të pranojë Hartën e Artë të Kosovës, duke theksuar se gjatë 11 muajve sa ka qëndruar këtu ka punuar me zell sikurse çdo pjesëtarë i KFOR-it për një ambient të qetë dhe të sigurt, që çdo qytetarë i Kosovës mund ta gëzojë çdo ditë.
Gjenerali Boyd tha se kjo ka qenë një përpjekje e ekipit për këto 20 vjet dhe vazhdojnë të ofrojnë këtë ambient për Kosovën, në mënyrë që Kosova të shkojë përpara në rrugëtimin e saj drejt njohjes dhe marrëveshjeve paqësore me Serbinë. “Pavarësisht etnive, fesë, apo religjioneve, ne jemi këtu që t’ju shërbejmë juve. Faleminderit kryeministër për kohën tuaj sot që më nderuat me Hartën e Kosovës”, tha Boyd.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral Major Timothy Orr, pjesëtarë të KFOR-it, të kabinetit qeveritar, FSK-së dhe përfaqësues të tjerë institucional.