Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i harmonizuar nga komisioni i mëhershëm ad-hoc, por edhe ai për legjislacion përfundimisht do të hyjë për votim të enjten e javës së ardhshme kur Kuvendi të mbajë seancën e radhës. Dokumenti në fjalë ditë më parë është kthyer nga Qeveria në Kuvend, ndërsa komisioni përkatës pritet që të hënën të japë rekomandimin përfundimtar.
Në fakt votimi i parë i këtij ligji ka pasur të bëhet të enjten e kaluar, por për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, ka qenë e pamundur që të procedohet tutje.
Mirëpo kësaj radhe kryetari i komisionit, deputeti i LDK-së Arben Gashi, shprehet i bindur se mekanizimi që drejton do të ketë kuorum të mjaftueshëm dhe ligji do të procedohet. “Të hënën do të mblidhemi në ora 10:00 dhe besoj se do të kemi kuorum të mjaftueshëm pasi katër deputetë do të kthehen nga udhëtimet zyrtare dhe do ta miratojmë ligjin”, ka thënë Gashi, transmeton Tribuna.
Ai ka bërë të ditur se me t’u miratuar në komision, dokumenti do t’i dorëzohet për rend dite kryesisë, por edhe nëse kjo e fundit nuk e bën një gjë të tillë, atëherë këtë sipas tij do ta bëjë seanca.”Gjithsesi të enjten e ardhshme Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme do të jetë në diskutim, pavarësisht nëse e fut apo jo në rend dite Kryesia e Kuvendit”, ka thënë ai