(2LONLINE) – Në shkollën “Selami Hallaqi”, sot janë organizuar garat komunale në lëndën e matematikës për nxënësit e të gjitha shkollave fillore nga klasa e shtatë, tetë dhe nëntë, duke përfshirë edhe klasat e gjashta të cilat ishin pjesëmarrëse jashtë konkurrencës.
Këtë garë të dijes dhe të shkencëtarëve të ardhshëm të Gjilanit e kanë nderuar me pjesëmarrje dhe i kanë dhënë mbështetje të fuqishme, nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, drejtori i Arsimit Nazmi Musa dhe përfaqësuesit e revistës “Plus” nga Tetova.
Me këtë rast, Valentina Bunjaku – Rexhepi, kryesuese e Kuvendit të Komunës, ka përshëndetur nxënësit garues duke ju dëshiruar atyre suksese në garën e sotme.
“Ju jeni ata njerëz të dijes që i bëni krenar familjet tuaja, të afërmit, shkollat tuaja, institucionet komunale por edhe gjithë Gjilanin. Dija është e çmueshme, ata që kanë dije përfaqësojnë vetveten por edhe vendin e tyre. Sot ju këtu përfaqësoni inteligjencën e Gjilanit”, tha ajo ndër të tjerash.
Ndërsa, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka thënë se dituria juaj është një nder dhe krenari për të gjithë ne.
“Aftësitë tuaja të fituara nga familja juaj, nga mësuesit tuaj, janë përherë krenare për ne. Matematika unë përherë e kamë thënë se është lënda e inteligjencës, andaj sukseset tuaja këtu dhe gjithandej janë mekanizmi që dëshmon se Gjilani ka shumë fëmijë inteligjent. Uroj që kështu të vazhdoni në çdo nivel të shkollimit tuaj”, tha ai ndër të tjerash.
E në anën tjetër, Jumni Avziu, kryeredaktori i revistës “Plus”, që është edhe organizatore e garave mbarëkombëtare, u ka uruar suksese shkencëtarëve të rinj Gjilanas, duke thënë se Gjilani tashmë ka një traditë në këtë fushë dhe është dëshmuar në gara të ndryshme, me garues të shkëlqyer. “Në shumicën e garave të organizuara, nxënësit e Gjilanit përherë janë më të dalluar se të tjerët”, potencoi ai.
Sami Shurdhani, koordinator i këshillit organizues të garave, ka thënë se këto gara tashmë janë tradicionale sa i përket organizimit, por me shumë ndikim në nivelin Republikan dhe atë mbarëkombëtar. Ai ka thënë se nga garat e kaluara nxënësit e Gjilanit kanë marrë pjesë në garat Shtetërore, Mbarëkombëtare, Ballkanike dhe Botërore. Këtë vit Republikën e Kosovës në garat Botërore që do të mbahen në Afrikën e Jugut, do ta përfaqësojnë dy nxënësit e Komunës së Gjilanit, fitues të garave në nivelin shtetëror vitin e kaluar.
Këto gara janë organizuar nga këshilli prej shtatë arsimtarëve të lëndës së matematikës në Gjilan, ndërsa materialet dhe detyrat janë përgatitur nga revista “Plus”. Rezultatet e garave do të publikohen sot rreth orës 16:00, në shkollën “Selami Hallaqi”./2lonline/