/2L ONLINE/ – “Që nga data 05.10.2016 Handikosi në Gjilan është pa energji elektrike si pasojë e borxhit të mëhershëm të akumuluar, e të cilat është dashtë t’i shlyejnë institucionet komunale. Ky borxh është i akumuluar nga viti 2014 e më poshtë. Në fillim të vitit 2015 kryetari i komunës ka bërë një marrëveshje me shkrim për subvencionim e shoqatave për personat me aftësi të kufizuar, por e cila marrëveshje është shumë minimale për zhvillimin e aktiviteteve në këtë rast të Handikosit”.
Kështu është shprehur Fatmir Shurdhani menaxher i kësaj shoqate, i cili shton se megjithatë e falënderojnë kryetarin e komunës për këtë mbështetje, mirëpo kjo shoqatë nuk mundet me e kuptua se pse borxhi për rrymë, i mbetur, për shoqatat që janë në këtë objekt, nuk merr përgjigjen e institucioneve për t’u shlyer, kur në anën tjetër kryetari i komunës thotë se borxhet e ngelura nga qeverisja e kaluar i ka eliminuar. Komplet viti 2014, ka qenë obligim i institucioneve lokale për pagesën e shpenzimeve të taksave komunale për shoqatat e personave me aftësi të kufizuar.
“Pas marrëveshjes së mirëkuptimit me 05.01.2015 taksat komunale janë bartur me marrëveshje në kuadër të subvencionit të cilat i ndan komuna për shoqatat e personave me aftësi të kufizuar, ndonëse, në këtë marrëveshje të cilën e ka bërë komuna me shoqatat, prapë ka pasur pa drejtësi, sepse nuk është bërë ndarja e përqindjes në mënyrë proporcionale me dy shoqatat tjera, por 70% të obligimeve për taksa komunale iu kanë lënë Handikosit”, thotë Shurdhani
Por sipas tij, si do që të jetë, Handikosi nga ajo datë përveç kryerjes së obligimeve të rregullta, të reja, që ka pas për taksat komunale, e ka zvogëluar borxhin e akumuluar, edhe atë pa mbështetjen e dy shoqatave tjera, që janë në të njëjtin objekt, të cilat nuk iu përgjigjen taksave komunale e në këtë rast as Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e cila është përgjegjëse për shlyerjen e borxhit të akumuluar.
“Kjo drejtori nuk ka strategji të punës këtë e dëshmojnë faktet për tri vite qeverisje ata punojnë vetëm atë qe ju vije si problem i momentit. Handikosi me këtë drejtori ka probleme të mëdha, problem shumë i madh është edhe zbatimi i memorandumi i mirëkuptimit me zyrën e kryetarit për subvencionim, pasi pa presionin e zyrës së kabinetit të kryetarit të komunës, nuk lëshohet subvencioni për Handikosin. Kjo po na i vështirëson edhe mè tepër punët, pasi në njërën anë kjo drejtori adreson palët në Handikos për marrje të shërbimeve, e në anën tjetër të mban peng në ndarje të subvencionit, ose nuk i lëshon fare”, thotë Shurdhani.
Sipas tij, kërkesat e tyre në këtë drejtori rrinë në tavolina pa u shqyrtua fare. “Për fund kërkoj nga institucionet tona (kemi bërë përpjekje me to që së bashku të gjejmë forma të eliminimit të këtyre problemeve sidomos me energjinë elektrike dhe ngrohjen në objekt, por nuk po hasim në mirëkuptim) të gjendet forma e eliminimit të borxheve të akumuluara për objektin e personave me aftësi të kufizuara sepse ka mundësi, por si duket nuk ka vullnet institucional”, ka thënë Fatmir Shurdhani menaxher i Shoqatës Handikos. /2L ONLINE/