Njëzet fermerë kanë përfituar sisteme të ujitjes pikë-pikë dhe fidanë të bimëve aromatike mjekuese, në kuadër të projekti “Promovimi i Sektorit të Bimëve Mjekësore Aromatike në Viti”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) përmes Programit Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor ReLOaD.
Kryetari Sokol Haliti duke falënderuar donatorët dhe implementuesit e projektit tha se ky sektor është mjaft profitabil dhe gjenerues i punësimit, duke inkurajuar edhe fermerët e tjerë që të merren me këtë prodhimtari.
Sipas tij, lajm i mirë është se Vitia së shpejti do ta ketë edhe qendrën për grumbullimin e këtyre bimëve.
Haliti tha se me këtë projekt që po realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, edhe praktikisht po i kthehemi ekonomisë familjare dhe normalitetit, pas gati dy mujash të përballjes me pandeminë e gripit.
“Në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, po implementohen projekte që po ndikojnë në zhvillimin e shumë sektorëve në komunën tonë, siç janë: blegtoria, perimtaria, pemëtaria, etj. Qëllimi ynë gjithnjë ka qenë mbështetja e fermerëve, por edhe shfrytëzimi i potencialeve që ka komuna e Vitisë” , ka thënë Haliti.
Shqipe Shaqiri nga Local Solution, tha se në kuadër të projektit, përfituesit paraprakisht përmes trajnimeve kanë përfituar njohuri për kultivimin e bimëve aromatike mjekësore si dhe rëndësinë ekonomike që kanë.
Sipas saj, projekti do të vazhdojë me zhvillimin e një platforme online përmes së cilës fermerët do të marrin më shumë informacione dhe organizimin e një konference ku parashihet pjesëmarrja e aktërve që merren me bimë mjekësore aromatike në mesin e tyre edhe të atyre që merren me eksportimin e tyre jashtë vendit, por sipas saj do të hapet edhe qendra për grumbullimin e bimëve mjekuese aromatike.