Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me Drejtorinë e Arsimit, Këshillin e fshatit Pozheran, Këshillin e shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema”, dhe Këshillin e prindërve, kanë mbajtur sot një takim, ku së bashku kanë kërkuar përfundimin sa më të shpejt të punimeve në këtë shkollë.
Në këtë takim u tha se vonesa e punimeve në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Pozheran të Vitisë, projekt ky që financohet dhe menaxhohet nga niveli qendror, po shkakton dëme të mëdha dhe të pariparueshme tek nxënësit.
“Kërkojmë nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës, që të marrin seriozisht kërkesat tona dhe urgjentisht të merren masa për përfundimin e objektit. Sinqerisht është e tepër stërzgjatja e punimeve në objektin e ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran. Në emër të prindërve, nxënësve, personelit arsimor dhe të gjithë qytetarëve tanë, kërkojmë që të kryhen sa më parë punimet dhe objekti të përfundojë sa më parë. Në veçanti kërkojmë që objekti të jetë gati për 1 shtator dhe që nxënësit të vijojnë mësimin normalisht, pa orar të shkurtuar.
Ne të gjithë flasim që arsimi është prioritet, prandaj duhet të ju jepet edhe prioritet përfundimit të këtij objekti, dhe jo të stërgjatët apo zvarritet përfundimi i tij”, tha kryetari Haliti.
Institucionet komunale dhe këshillat udhëheqëse të fshatit e shkollës së Pozheranit kanë kërkuar që më së largu brenda dhjetë ditëve të merren masa nga qeveria dhe të fillojnë punimet intensive, përndryshe ata kanë bërë me dije se do të organizojnë protesta dhe do të ndërmarrin masa.
Përndryshe këshilli i prindërve të kësaj shkolle, ka marrë vendim që nëse punimet nuk përfundojnë në shtator, atëherë mësimi nuk do të fillojë. /2LONLINE/