Qytetarët e komunës së Vitisë, por edhe të komunave tjera, po vazhdojnë të përballen me një situatë kaotike të qarkullimit përmes aksit rrugorë Viti-Kllokot-Gjilan. Punimet e stërzgjatura në këtë rrugë, kanë bërë që të krijohet një gjendje e padurueshme. Prandaj në emër të qytetarëve të komunës së Vitisë, shpreh shqetësimin tim publik me dinamikën e punimeve që po bëhen në këtë rrugë.
Kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë pasi që lidh mes vete disa komuna. Si pasojë e gjendjes aktuale të kësaj rruge qytetarët e Vitisë, kanë vështirësi të mëdha në qarkullim, në veçanti banorët që jetojnë për skaj të rrugës apo të cilët duhet të marrin këtë rrugë për të arritur në destinacionin e duhur.
Qytetarët tanë po e kanë të vështirë të marrin shërbimet e domosdoshme në Gjilan, përfshirë këtu shërbimet shëndetësore, administrative dhe arsimore. Prandaj, për të ju shmangur kësaj rruge qytetarët po detyrohen të përdorin rrugë alternative qe një kohë të gjatë.
Fatkeqësisht mos trajtimi i këtij projekti me prioritet dhe shpejtësi, po ju sjellë dëme qytetarëve qoftë në mjetet e tyre motorike, konkretisht prishje si pasojë e rrugës së keqe, shfrytëzimit të rrugëve të tjera, shpenzimeve në derivate apo edhe dëme për bizneset që janë për skaj të rrugës ku po zhvillohen punimet.
Prandaj duke i ditur të gjitha pasojat, që po sjellë mos përfundimi i këtij projekti dhe rëndësinë që ka ajo, kërkojmë nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, që projekti të përfundoj sa më shpejt dhe të mos këtë devijime të projektit që ishte paraparë të realizohet në këtë aks rrugorë.
Sinqerisht
Kryetari i komunës së Vitisë
Sokol Haliti