(2LONLINE) – Aprovimin nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e Palestrës Sportive në Viti, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti e ka quajtur sukses të përbashkët dhe ka kërkuar që të angazhohen gjitha drejtoritë që të zhvillohen procedurat për realizimin sa më të mirë të këtij projekti të shumë pritur në komunën e Vitisë.
Kryetari Haliti në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve që u mbajt sot ka thënë se projekti I palestrës sportive plotëson standardet e palestrave të shteteve perëndimore dhe si e tillë do të plotësoj kushtet për zhvillim të nivelit të lartë të aktiviteteve sportive. Ai theksoi se mendon që në të ardhmen ti drejtohen Kuvendit me një propozim për dislokim të tregut të kafshëve nga fshati Drobesh, pasi që në afërsi të asaj pjese planifikohet ndërtimi I palestrës.
Në takimin e sotëm me Këshillin e Drejtorëve, u bisedua edhe për pasqyrat financiare, për organizimin e një takimi të përbashkët lidhur me ruajtjen e pyjeve, për incizimin e gjendjes nëpër drejtori, dhe auditimin e brendshëm./2lonline/