Për nder të 4 Korrikut-Ditës së shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucionet komunale të Vitisë të prirë nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira, ushtarëve të KFOR-it Amerikan si dhe të tjerë kanë bërë homazhe në kompleksin e diplomatit të njohur amerikan, Richard Holbrooke në Viti.
Nga aty kryetari i kësaj komune pasi që mbajti një minutë heshtje dhe vendosi një kurore me lule pranë bustit të këtij diplomati ju drejtua qytetarëve amerikan me një mesazh urimi për ditën e pavarësisë.
“Shfrytëzoj rastin që nga ky kompleks i diplomatit të njohur amerikan, Richard Holbrooke të uroj gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditën e pavarësisë së këtij vendi mik. Me të vërtetë Komuna e Vitisë por edhe e gjithë Kosova ju është mirënjohës ShBA-së për atë se çka ka bërë dhe po bënë për lirinë e popullit tonë si para luftës, gjatë saj por edhe në shtet ndërtim”, ka thënë Haliti.
Gjithashtu ne si Komunë kemi nderin që brenda territorit tonë operojnë ushtarët e ShBA-së të cilët gjithmonë janë pranë nesh, andaj një falënderim të veçantë edhe për të gjithë ata që në këtë ditë kremte nuk janë pranë familjeve të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ndër tjerash Haliti.
Kurse për nder të kësaj dite në organizimin e kësaj komune, konkretisht të DKRS-së do të zhvillohet edhe një “Hiking” nga Vitia për në fshatrat Lubishtë dhe Letnicë.