Pas takimeve që janë mbajtur në Bruksel në shtator të vitit të kaluar rreth 100 mijë tekste në gjuhën shqipe kishin arritur në Luginën e Preshevës me përshtypjen se kjo çështje nuk do të nxiste reagime pasi që kishte marrëveshje mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, këto libra asnjëherë nuk arritën në duart e nxënësve shqiptarë, pasi që autoritetet serbe i mbajtën të bllokuara në terminalin doganor. Para dy ditësh, këto libra u kthyen mbrapsht në Kosovë.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi tha se ishte e papritur kjo që ndodhi pasi që nga viti 2007 Ministria e Arsimit në Beograd kishte lejuar të merren librat në gjuhën shqipe për një vit shkollor.
“Në vitin 2007 Beogradi kishte lejuar që për një vit shkollor të furnizohemi me libra. Librat me tekste shqip vinin në shtator me përjashtim të lëndës së historisë dhe gjeografisë gjitha tekstet tjera i kemi pas në gjuhen shqipe. Nuk besuam se përsëri do ta kishim këtë problem pasi që edhe Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami kishte deklaruar ashtu” , tha Halimi.
Më tej Halimi shtoi se marrëveshjet që po arrihen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nuk po gjejnë aspak zbatim pasi që Serbia nuk është në disponim t’i zbatoj ato.
E për këto çështje ai tha se e ka ngrit zërin edhe në Kuvendin e Serbisë por nuk po merr përgjigje.
“Për çështjen e teksteve dhe diplomave ne kemi shtruar pyetje dhe kemi ngritur zërin në Parlament, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Pyetjet që bëhen në Parlamentin e Beogradit nuk iu kthehen menjëherë përgjigjet pasi që duhet t’i dërgojmë edhe me shkrim. Përkundër kësaj unë nuk besoj që do të kemi përgjigje konkrete për moslejimin e teksteve të cilat qëndruan në terminalin doganor qysh nga muaji shtator” , tha Halimi.
Halimi shtoi se në mungesë të Ministrit të Arsimit të Beogradit nuk po merr përgjigje as për mosnjohjen e diplomave, gjë për të cilën edhe përfaqësuesit e këshillit nacional duhet të japin deklarata.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=24878