Deputeti popullor dhe njëherit kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Riza Halimi thotë se qeveria e dalë nga këto zgjedhje në Kosovë duhet t’i imponoj qeverisë së Serbisë zbatimin deri në fund të marrëveshjeve të arritura.
“Në vijim do të ishe dashtë që me të gjithë kredibilitetin që do ta fitojnë institucionet shtetërore të Kosovës pas këtyre zgjedhjeve, për mua historike, që së pari t’i imponohet Serbisë se marrëveshjet e aprovuara të zbatohen deri në fund dhe mandej të vazhdohet me procese tjera”, ka thënë Riza Halimi, raporton Titulli.
Ai thekson se hapat konkrete që duhet marrë janë duke filluar nga lëvizja e lirë, implementimi i marrëveshjes mbi njohjen e diplomave , bashkëpunimin e ekonomik, kulturorë, në mënyrë që në Luginë të rikthehej gjendja e natyrshme.
“Trajtimi i problemit të qarkullimit kishte peshën specifike pasi në fillim patëm probleme shumë serioze me sigurimin e automjeteve që mandej u zgjidhë, por që një zgjidhje më definitive duhet të bëhet patjetër me kartonin e gjelbër dhe në anën tjetër kishte peshë gjithashtu edhe marrëveshja për pranimin e diplomave universitare e cila tani mjerisht është prurë në pyetje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë e cila nuk e njeh apo e shpallë jokushtetuese këtë marrëveshje për njohjen e diplomave universitare”, thekson deputeti nga Lugina në Parlamentin e Republikës së Serbisë.
“Këtu ne po flasim vetëm për diplomat universitare, mirëpo në Serbi nuk pranohet asnjë dokument që lëshojnë organet dhe institucionet e Kosovës, si ato që kemi në nivelin e arsimit fillor, të mesëm, me foshnjet që lindin në maternitetet e Kosovës. Të gjitha ato dokumente dhe shumë të tjera nuk pranohen nga institucionet dhe organet shtetërore në Serbi edhe për shkak të tyre kanë probleme familjet shqiptare në Luginë të Preshevës”, nënvizon Halimi.
Ai thekson se duhet të vazhdohet në qarkullimin e qytetarëve në mënyrë sa më të lirshme dhe sipas tij kjo do ta rikthente mandej edhe bashkëpunimin ekonomik si dhe gjendjen e natyrshme të bashkëpunimit që e ka pas dhe duhet ta ketë Lugina me Kosovën.
“Ka edhe shumë çështje tjera, si në fushën e kulturës dhe fushat tjera jetësore. Do të ishte dashtë që në periudhën e ardhshme të kemi një bashkëpunim më intensiv”, u shpreh deputeti dhe kryetari i PVD-së Riza Halimi.
http://www.titulli.com/halimi-nga-qeveri-e-re-e-kosoves-kerkon-imponim-serbise-ne-zbatimin-e-marreveshjeve/