Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), njëherësh deputet në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, është shprehur i zhgënjyer me qeverinë e re të këtij shteti. Ai e ka kritikuar qeverinë e re të Serbisë se nuk po bën asgjë për ta ndalur diskriminim e vazhdueshëm të shqiptarëve të Luginës se Preshevës.
Në një bisedë për “Epokën e re”, Halimi ka bërë me dije se kjo qeveri kishte dhënë deklarata optimiste, por deri më tani nuk ka bërë asgjë konkrete.
“Ne kemi pritur të ketë ndryshime, sepse ka pasur disa deklarata që shtonin optimizmin se do të ketë diçka më ndryshe. Deri më tani nuk ka ndonjë dallim nga politikat diskriminuese të deritanishme ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Halimi.
Ai ka treguar se migrimet e shqiptarëve në këtë pjesë janë të një intensiteti më të lartë se kurrë më parë. “Situata e tashme e shqiptarëve është më vështirë se në të kaluarën. Migrimet janë në intensitet shumë më të lartë se në të kaluarën. Menjëherë pas luftës kemi pasur lëvizje të mëdha në drejtim të Kosovës, tash kemi shkuarje masive në drejtim të Evropës. Kjo po reflektohet në radhë të parë te numri i nxënësve nëpër shkolla. Faktikisht në tre-katër vjetët e fundit numri i nxënësve është përgjysmuar”, është shprehur ai, duke shtuar se një pastrim etnik në pjesën e fshatrave malore të Komunës së Medvegjës është kryer në vitin 1999, me ardhjen e forcave ushtarako-policore që ishin më parë të angazhuar në Kosovë.
Për më tepër:
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=50735&Ctype=1