Alfred Halili, kryetar i subjektit politik Alternativa, dega në Gjilan, ka thënë se kryetari i komunës së Gjilanit nuk po i mban premtimet, për të kërkuar nga ai të angazhohet seriozisht në realizimin e fjalëve të dhëna dhe të jetë më i përgjegjshëm në kryerjen e detyrave të tija.
Halili ka rikujtuar se më 17 shkurt të vitit të kaluar, në 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e kishte vizituar çerdhen ”Ardhmëria 1”, e cila ndodhet në lagjen ”Xhemail Mustafa l”, e vendosur në një objekt privat pas rrënimit të objektit të kësaj çerdheje. ”Ardhmëria 1” është çerdhja më e vjetër në komunën e Gjilanit. Në këtë vizitë që Haziri iu bëri fëmijëve, edukatorëve dhe stafit menaxherial, u tha se përvjetorin e ardhshëm të pavarësisë do ta presin në objektin e tyre.
Fatkeqësisht, thotë Halili, si shumë premtime tjera, edhe ky nuk u mbajt, madje tek më të pafajshmit, tek ata të cilët nuk duhet t’i zhgënjejmë derisa ende nuk kanë filluar ta kuptojnë realitetin se ku jetojnë, ende as nuk ka filluar ndërtimi i një objekti të ri, apo blerja e ndonjë objekti për këtë çerdhe. E më e keqja, kjo çerdhe nuk figuron hiç në planifikimin e buxhetit për vitin 2019-të, e nuk është ndërtuar as në vitin 2018-të.
“Ndoshta edhe disa vite tjera fëmijët e çerdhes ”Ardhmëria 1”, do të vazhdojnë pa kopshte, pa kënde lojërash e hapësirë të mjaftueshme për aktivitete. Fëmijët do të rriten pa kushte të meritueshme, dhe më vonë do ta kuptojnë që Kryetari i tyre nuk u qëndroj fjalëve premtuese mbrapa. Kështu edhe prindërit, stafi dhe qytetarët e Gjilanit. Shpresojmë se gjeneratat të cilat kanë kaluar nëpër këtë çerdhe, dhe ata të cilët aktualisht janë duke u ballafaquar me kushte jo të mira, nuk do tia falin kryetarit të komunës këtë mos mbajtje të fjalës”, thotë Halili i Alternativës.
Ai i ka bërë thirrje kryetarit të komunës, Lutfi Hazirit që të angazhohet seriozisht në realizimin e fjalëve të dhëna, nuk është vonë edhe pse jemi në përfundim të muajit të 10-të, mund të fillohet zgjidhja e këtij problemi, dhe t’i gëzojë të vegjlit për njëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë.
“Kryetari i Komunës duhet të jetë më i përgjegjshëm në kryerjen e detyrave të tij. Postin e kryetarit nuk duhet ta shikojë vetëm si privilegj, por edhe si përgjegjësi”, ka thënë Alfred Halili, kryetari i Alternativës në Gjilan.