NGA: IZMI ZEKA
Haki Taha është një emër i lakuar nga format më të ndryshme, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Një intelektual modern i një kohe mjaft të vështirë, kur përballja me tradhtinë ishte mbase tepër e rëndë. U shikua nduarnduarshëm duke e hedhur shpesh edhe në anën më të errët të historisë, duke e spikatur herë-herë edhe si shërbëtor të serbosllavëve e çfarë jo! Anatemimi i tij mbeti për kohë të gjatë. E kam analizuar figurën e tij në shumë rrafshe dhe kam ardhur në përfundim se Haki Taha paraqet simbolin e bashkimit kombëtar, legjendën urbane të kohës së gjysmës së parë të shekullit XX.
Njëri ndër të cilët dha pakëz dritë për Haki Tahën është edhe Gani Mehmetaj, i cili shton: “Imazhi për Haki Tahën, sa herë e kujtoj, më duket më i mistifikuar se herën e parë kur e dëgjova në fëmijëri. Përpjekjet e mëvonshme për të ndriçuar këtë personazh tragjik më dalin edhe më të mjegullta, më të largëta, më rrëshqisnin dhe më bëheshin edhe më misterioze, sidomos kur dëgjoja rrëfimet gojore. Sa mendoja që e kapja imazhin e fëmijërisë, kur më dilte ndonjë rrëfimtar tjetër, i cili më shpinte rrugëve të përbaltura, apo dhiareve gati të pashkelura, më pak romantike e më shumë tragjike, më pak epike e më shumë konfuze”.
Autori mjaft mirë portretizon imazhin dhe turbulencat në kohë që janë shpërfaqur për Hakiun. Personalitetin që u pa nga dimensioni kohor dhe ndikimet e ndryshme që i bënte koha. Nga dokumentet Haki Taha personifikon figurën urbane të një njeriu modern, por të një kohe tejet të vështirë dhe të turbullt për të gjitha trojet shqiptare. Një mësues i shkollës së Elbasanit, disident në politikat e kohës dhe i papërmbajtshëm në të drejtën për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë.
Më tej Prenk Gruda, shok i shkollës, shkruan: “Ishte prej Gjakove që ka qenë gjithmonë një çerdhe e shqiptarizmit. Hakiun e njoha për herë të parë në konviktin “Malet Tona” në Shkodër, mandej na ra për disa vjet me kalue së bashku në Normale të Elbasanit e Shkollë Teknike në Tiranë, gjatë pushimeve shkollore. …Ka qenë shkrimtar i mprehtë, prozator e poet. Përshëndetja e Kosovës nga Qafa e Prushit 1938, në “Hylli i Dritës” është shumë mallëngjyese, një himn i djelmënisë shqiptare për Nanën Kosovë. Më vonë shumë shkrime të tjera të botueme apo dorëshkrime provojnë aftësitë e Hakiut si shkrimtar. Ai ndiqte gjurmët e apostujve të Rilindjes. Fishta e Naimi ishin për të Ungjilli e Kurani. Admironte Mjedën e Asdrenin, Prenushin e Çajupin”.
Dëshmitë tregojnë se Hakiu kishte një kulturë të gjerë. Ai ishte poet, shkrimtar e mbi të gjitha, një mësues që edukoi breza për aq vite sa punoi në Kosovë e Shqipëri. E si mund të trajtohej ndryshe për gjysmë shekulli miti urban që theu “vëllazërinë” e proklamuar me serbët.
Ishin vitet e Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët e Kosovës u mashtruan në emër të luftës kundër antifashizmit, u mashtruan edhe nga mbledhja e Bujanit, fakte që vështirë të kalojnë mbi trupin e Hakiut, një djalë i gjatë e me një pamje të bukur, i cili s’mund ta duronte tradhtinë që e bënë serbo-malazezët pas përfundimit të luftës.
Nga ato që kishin ndodhur dhe që janë dokumente, vërtetohet se “gjatë kohës sa ishte Miladin Popoviqi në pozitën më të lartë politike në Kosovë ndodhën të gjitha ato që ndodhën: masakrat pothuaj në të gjitha qendrat e Kosovës, luftërat dhe masakrat në Ferizaj, Gjilan e Drenicë, largimi i brigadave shqiptare të Kosovës dhe i brigadave të Shqipërisë nga Kosova për të ardhur në vend të tyre brigadat serbo-malazeze dhe famëkeqja brigadë kriminale e Bokës, që bëri kërdinë nëpër Rrafshin e Dukagjinit, ploja e të rinjve të mobilizuar shqiptarë dhe masakrimi i tyre në rrugë për në Shkodër, Tivar, Dubrovnik e Trogir, vendosja e pushtetit ushtarak në Kosovë etj.”.
Masakra të papara, për të cilat Hakiu s’mund ta shihte popullin se si po vuante në emër të një lufte, kinse çlirimtare. As poeti më bashkëkohor s’mund t’i duronte, as mësuesi që punonte për t’u dhënë dituri s’mund t’i mësonte nxënësit kur dihej që Kosova po digjej dhe po shitej, as legjendat më urbane s’do ta kishin tejkaluar një situatë tillë mizore.
Si e kishte njohur Lasgush Poradeci
“Po ecnim rrugës të dy, me Lasgushin – shkruan këtu Meri Lalaj – dhe ai po më tregonte se si serbët i ndiqnin kosovarët në kohën e Zogut. Kështu, kishin ardhur në Shqipëri dy kosovarë: Bajram Gashi dhe Haki Taha, që ishin mësues – njëri në njërën shkollë të Shenavlashit, tjetri në tjetrën. Një ditë në Tiranë, – vazhdoi Lasgushi, – më takoi Haki Taha dhe më tregoi një libër. Ja, kaq të trashë, sa gishti. Ishte një përmbledhje me poezi për Kosovën. Aty ishte edhe poezia ime “Marshi Kosovar”. – Të lutem – më tha Haki Taha, – të na bësh një parathënie. – Unë nuk shkruaj në prozë, – i thashë – po për Kosovën do ta bëj”.
Lasgush Poradeci e vlerëson lart figurën e Haki Tahës si atdhetar, si njeri i letrave shqipe, por edhe si një njeri që për ideal kishte bashkimin kombëtar.
Në librin “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, shkruar nga prof. Ibrahim Kelmendi, në faqen 171 shkruhet: “…pikërisht më 13 mars të vjetit 1945, trimi guximtar, poeti dhe patrioti i flakët Haki Taha i Gjakovës, në mënyrën ma të guximshme e vrau Miladin Popoviçin, njanin ndër komunistat ma të njoftun të Jugosllavisë. Një sekretare e Miladinit e cila u ndodh prezent, ngjarjen e përshkruan kështu: – Para dite, aty nga ora 11, hyni nji burrë i gjatë… Vetëm mbaj mend fjalët kur tha: – Jo! Zot i Kosovës nuk je, as nuk munesh me qenë kurrë! Zot i Kosovës është kjo…, nxuer revolen dhe ia zhgrehi Miladinit në krye… Mbi tavolinën e përgjakun e hodhi një flamur të Shqipnisë dhe duel… Siç u pa më vonë, ai vrau veten…”.
Haki Taha me vetëdije të plotë kryen një ndër aktet më patriotike të kohës, duke qenë konsekuent deri në vdekjen e tij. Dhe pushteti serbo-sllav e të tjerë argatë të tyre për vite të tëra e ngjyrosën si shërbëtor i shtetit jugosllav apo i OZN-së a shërbimeve të tjera e çfarë jo. Ky ishte krimi që iu bë edhe pas vrasjes që e bënë pushtuesit ndaj një intelektuali të Luftës së Dytë Botërore e në këtë komporacion luftës për çlirim kombëtar.
Z. Tahir Berisha në librin e tij “Emra që nuk harrohen – arsimtarët veteranë” (1941 – 1951), vëllimi i I-rë, Prishtinë, 1994, faqe 153, shkruan se Haki Taha ka qenë edhe poet dhe ka botuar plot vjersha, mes të tjerave:
Kosovë, o shpirti i jonë.
…Na ke bij e të kemi nanë
Kosovë, shpirt i Shqipnisë
Pa ty, vdek ma mirë të tanë….
Hakiu aq bukur i këndon Kosovës dhe Shqipërisë me vargjet e tij. Ai ndjen dhimbjen në shpirt për aq sa jeta i dukej e pakuptimtë pa Shqipërinë nënë. U shndërrua në mit, legjendë, në gojëdhëna, por asnjëherë aty ku duhej ta kishte vendin.
Një bashkëkohanik i Haki Tahës, Salih Kolludra, në intervistën që i dha Haqif Mulliqit, gazetar i javores politike shqiptare “Zëri”, nr. 1534, dt. 18 janar 1995, decidivisht thotë: “Miladin Popoviçin e ka vrarë Haki Taha. Miladini ishte elementi më i rrezikshëm për shqiptarët, ngase u shtirej si mik. Se do të ndodhë vrasja, unë e dija që më parë. Këtë ma tha Luan Gashi, i cili kishte qenë në kontakt me Haki Tahën. Bile, ne u bëmë gati që, eventualisht, ta ndihmojmë Hakiun, pasi që ta kryejë këtë akt trimërie. Fatkeqësisht, Hakiu mbeti në Prishtinë dhe nuk ia doli që të na bashkohet në Greqi”.
Të gjitha spekulimet rreth vrasjes së Milladin Popoviqit dhe lëkundjet që janë paraqitur në historiografinë tonë rreth vrasjes së tij argumentueshëm flasin me qindra dokumente se vrasjen e kishte kryer Haki Taha, një djalosh nga Gjakova, i cili ende ishte në moshë krejtësisht të re, vetëm 32 vjeç.
Pas dy a tri dite, pasi kishte filluar ndjekja e tij nga pushteti jugosllav, ai u vra diku në rrugët e Prishtinës vetëm e vetëm për të mos iu dorëzuar pushtetit barbar, çfarë ishte instaluar pas viteve ’45 dhe çnjerëzimit që u bëhej shqiptarëve. Ishte mbështjellë me flamur kombëtar dhe ashtu ra njeriu i klasës moderne i një kohe shtazarake dhe fyese për shqiptarët, të cilët u tradhtuan gjatë Luftës Nacional Çlirimtare dha pas saj.
Në një shkrim për Haki Tahën, Gani Mehmetaj, ndër të tjera, shkruan: “Ai nuk pati tirq me gajtan e xhamadan vija-vija, as kobure të gjatë në brez, nuk kishte as mustaqe vesh e m’vesh, por ishte heroi urban i qyteteve tona provinciale e katundeve të varfra”.
Legjenda urbane e krijuar menjëherë pas vdekjes së Haki Tahës ishte e kundërta e legjendave me shumë shokë e me shumë beteja. Ishte një luftë vetmitare, mbase e njeriut më të dëshpëruar në vend. Legjenda thotë se ndërsa kureshtarët e panë me frikë e të mrekulluar njëkohësisht, përderisa flamuri i përgjakur ia mbulonte trupin e shtrirë në kalldrëmin e një rrugice të Prishtinës, armiqtë që kishin shpresuar shumë ta zinin të gjallë, e shihnin me sy të çakërritur.
Legjenda urbane u stigmatizua deri në tradhti dhe në heshtje të pakuptimtë për vite të tëra duke u bartur portreti i tij nga një skaj në tjetrin e herë-herë duke e mbuluar heshtja deri në pakuptimësi.
Haki Taha, portreti modern i një lufte barbare, i veshur me edukatë përparimtare, normalist i Elbasanit, mësues i Kosovës dhe Shqipërisë, ra vertikalisht për të mos vdekur kurrë. /2LONLINE/