/2L ONLINE/ – Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, ka bërë me dije për disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda që kanë ndodhur në Komunat Gjilan, Viti e Novobërdë. Azizi duke folur për rastet veç e veç, ka thënë se në Gjilan, një ankues ka raportuar se derisa ishte i shtrirë në Spitalin Rajonal, për trajtim mjekësor, kur kishte dalë nga dhoma për një moment, nga persona të panjohur, i janë vjedhur dy telefona në vlerë prej 160€. Rasti i referohet NJHK-së.
Rasti tjetër i cilësuar si “vjedhje e rëndë”, ka ndodhur në rrugën “Avdulla Presheva”, në Gjilan, ku ankuesi ka deklaruar se persona të panjohur, kanë hapur me forcë derën e lokalit të tij afarist, kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur një arkë me para kesh rreth 100€ dhe cigare të llojeve të ndryshme, duke i shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme rreth 800€. Rasti procedohet në Njësitin e Hetimeve.
Po ashtu po në Gjilan është regjistruar edhe një rast tjetër “Vjedhje e rëndë”, ku në rrugën “15 qershori 99”, ankuesja, ka deklaruar se persona të panjohur, kanë hapur me forcë derën e lokalit të saj afarist, kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur para kesh rreth 40€ dhe cigare të llojeve të ndryshme, duke i shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme rreth 100€. Rasti procedohet në Njësitin e Hetimeve.
E, rasti “vjedhje e rëndë” është shënuar edhe në Viti, në rrugën “Rexhep Bislimi”, ku ankuesi raporton në polici se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në dyqanin e tij –farmaci, me ç’rast kane vjedhur barna të ndryshme ne vlere rreth 400€. Rasti procedohet në Njësitin e Hetimeve.
E vjedhje të rënda ka pasur edhe në Novobërdë, konkretisht në fshatin Prekovc. Cak i hajnave kanë qenë shitoret e këtij fshati, ku tri prej tyre, brenda një dite, janë thyer dhe nga aty hajanat kanë marra gjësende të ndryshme. Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se në fshatin Prekovc, ankuesi ka njoftuar se persona të panjohur me forcë kanë hy në shitoren e tij dhe kanë vjedhur 1 Motosharrë në vlerë rreth 330 €, cigare të llojeve të ndryshme në vlerë rreth 200 €, para të gatshme 100 € dhe 12.000 din, ndërsa ia kanë dëmtuar edhe alarmin në vlerë rreth 300 € . Rasti procedohet në Njësitin e Hetimeve.
Po ashtu, në fshatin Prekovc të Novobërdës, ankuesi njofton se persona të panjohur me forcë kanë hyrë në shitoren e tij dhe kanë vjedhur 5 L alkool, 2 paketa me cigare të llojeve të ndryshme, 2 paketa me pashteta Argeta dhe 37 mbushje telefonike të Valës, Ipkos dhe Z-mobile. Rasti procedohet në Njësitin e Hetimeve.
Dhe, rasti i fundit, i treti në këtë fshat, është lajmëruar në polici nga ankuesi, sipas të cilit, persona të panjohur me forcë kanë hyrë në shitoren e tij dhe kanë vjedhur cigare të llojeve të ndryshme , 4 mbushje telefonike të Valës, 2 kasetofona të veturës , 4 zinxhirë të motosharrës dhe 5000 din.
Edhe ky rast rast procedohet në Njësitin e Hetimeve. /2L ONLINE/