Komisioni për Shëndetësi i Degës së LDK-së në Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie në selinë e LDK-së, ku para qytetarëve kanë paraqitur shqetësimet dhe rekomandimet e tyre.
Anëtari i Kuvendit Komunal, Dr.Besim Guda, ngriti shqetësimin e vonesës së tejzgjatur të tranferimit të mjekësisë familjare në ndërtesën e re. Në emër të Komisionit, ai theksoi se ka neglizhencë dhe joprofesionalizëm në trajtimin e kësaj teme.
“Dinamizimi i procesit është jetik për këtë projekt, tha Guda.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Shëndetësi, është vlerësuar, gjithashtu, se ka ngecje të mëdha në furnizimin me material sanitar në QKMF dhe QMF-të në Komunën e Gjilanit.
“Këto vonesa janë në proporcion të zhdrejtë me qëllimet bazike të ofrimit të shërbimeve cilësore dhe të sigurta shëndetësore” , shtoi ai.
Dr. Besim Guda theksoi se shqetësim të madh paraqet edhe mungesa e resurseve humane në mjekësinë primare.
“Janë 17 vende të lira pune të cilat janë krijuar pas pensionimit të profesionistëve shëndetësorë.
Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, kërkon të hapen sa më shpejtë konkurset gjegjëse, të përmbushet stafi i nevojshëm dhe të mundësohet funksionimi i duhur e kompetent i mjekësisë familjare në Gjilan” , ka shtuar anëtari i KK-së, Dr. Besim Guda.
Vlerësohet i vonuar kontakti i përgjegjësve me Caritasin për vazhdimin e kontratave të punës për mbi 70 punëtorë të cilët paguhen nga ky program.
“Heronjtë e gjallë” në luftën me pandeminë u harruan nga kjo qeverisje komunale. Shkëputja e kontratave të tyre, pa përfunduar ende pandemia nuk do duhej të ndodhte”, u shpreh ai.
“Dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi është dashur të fillojnë shumë më herët. Në vitet e kaluara, në këtë kohë, këto procese pothuajse kishin fundin e vet. Tani, këto procese as nuk kanë filluar dhe çdo vonesë do sjellë pasoja tek qytetarët tanë.”- tha Guda.
Ai shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, shpreh respektin dhe admirimin më të madh për punën e gjithë profesionistëve shëndetësorë dhe falënderon edhe njëherë të gjithë ata që u kujdesën për jetët tona duke rrezikuar dhe jetën e tyre.
“Jemi në situatë paradoksale me profesionistët shëndetësorë. Kemi profesionistë shëndetësorë të papunë, kërkojmë nga ta që mos ta lëshojnë Kosovën, e në anën tjetër nuk bëjmë asgjë për këtë kategori. Nuk kemi “sy e fytyrë” që të njëjtit t’i lusim të qëndrojnë në vendin e tyre pa u siguruar një vend pune e një pagë minimale”, ka thënë Guda i LDK-së. /2LONLINE/