Fitorja me rezultat minimal kundër një rivali të tillë si Victoria Plzen (1:0), nuk e ka shqetësuar aspak trajnerin e Bayern Munichut, Pep Guardiola. Kampionët në fuqi të Evropës dhe Bundesligës kanë vuajtur jo pak në ndeshjet e deritashme të këtij edicioni, por për ish-trajnerin e Barcelonas, kjo është plotësisht e kuptueshme, pasi skuadra nuk ka arritur ende 100% e formës ideale.
“Në vitin tim të parë te Barcelona, paraqitjet e skuadrës kishin disa luhatje. Qëndruam në nivele të larta, por loja jonë u stabilizua pas 2 apo 3 vjetësh. Zakonisht ishim në gjendje të luanim më mirë se kundërshtarët. Tani te Bayerni ka një trajner të ri, lojtarë të ardhur gjatë verës dhe do të duhet kohë që gjërat të shkojnë në harmoni dhe në vendin e tyre”, ka theksuar Guardiola. Duke iu referuar sfidës së fundit me Victoria Plzen, trajneri 42-vjeçar i bavarezëve pohoi se ndeshjet si mysafirë janë gjithmonë të vështira në Ligën e Kampionëve.
“Ky takim ishte shumë më i vështirë se ai që luajtëm 2 javë më parë. I mbaj mend shumë mirë përballjet me Victoria Plzen kur isha te Barcelona, por ky i fundit ishte pa dyshim më i vështiri”, ka shtuar Guardiola, skuadra e të cilit e ka siguruar kalimin në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, me 12 pikë të grumbulluara nga 4 takimet e para të Grupit D./rtklive.com/