“Edhe pse mbjellja e grurit gjatë vitit të kaluar, për shkak të mungesës ekstreme të lagështisë në tokë, nuk u realizua brenda afatit optimal për mbjellje, që është nga 5 deri 30 tetori, megjithatë fermerët shfrytëzuan maksimalisht pak ditë të mira të muajit nëntor dhe realizuan mbjelljen e tij”, thuhet në një njoftim të Drejtorisë për Bujqësi të Komunës së Gjilanit.
Në tej bëhet e ditur se: “periudha pas mbjelljes u përcoll me një lagështi minimale në tokë, me reshje minimale të shiut, thuajse pa borë fare dhe me temperatura të ajrit mjaft të larta për periudhën e dimrit. Kjo gjendje sikur i ndihmoi grurit që të mbijë dhe të mos dëmtohet nga ngricat bima e sapombirë”.
Ekspertët nga Drejtoria për Bujqësi, nga vizitat në teren, kanë vlerësuar se duke i pasur parasysh kushtet dhe rrethanat që u përmendën më sipër, kultura e grurit është në gjendje të mirë dhe nëse çdo gjë shkon si duhet, mund të priten rendimente mesatare.
“Muaji shkurt është muaji kur kultura e grurit duhet të ushqehet me një sasi të konsiderueshme të azotit. Varësisht nga normat e plehërimit vjeshtor (me rastin e mbjelljes), nga pjelloria e tokës, parakultura, varieteti dhe rendimenti i planifikuar, preferohet të jepen 150-250kg NAG 27% për hekatar. Në rast nevoje më vonë mund të bëhet edhe një korrigjim me një sasi të vogël të azotit (100 -150 kg NAG /ha)”, thuhet tutje në njoftim.
Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë për Bujqësi, në vitin 2023 ka përkrahur afër 800 fermerë me farë gruri. Për këtë vit afërsisht po aq fermerë do të përkrahen për mbjelljen e misrit dhe grurit, përveç me farë dhe me plehra artificialë.
“Në këtë vit (2024) fermerët do të përkrahen edhe me projekte të tjera si: mekanizim bujqësor, serra prej 100m², panele solare, shoqëri bletësh, centrifuga për nxjerrjen e mjaltës, shkrirëse dylli, me tërë repromaterialin e nevojshëm për mjedër dhe boronicë, seminare, me këshilla praktike profesionale etj”, thuhet në fund të njofitmit të Drejtorisë Komunale për Bujqësi. /2LONLINE/