Grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare, i udhëhequr nga kryesuesja e grupit, deputetja Mimoza Kusari – Lila, realizoi vizitë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Deputetët u priten nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, zv.ministri z.Getoar Mjeku dhe UD kryeshefi i ARBK-së, z.Mehdi Pllashniku.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të planit të veprimit të grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare, për të parë nga afër zbatueshmërinë e ligjit për shoqëritë tregtare nga ARBK si institucion përgjegjës për zbatimin e këtij ligji.
Gjatë takimit në Ministri dhe ARBK, deputetët u njoftuan nga afër me sfidat e zbatimit të ligjit në fjalë si dhe aktivitetet e ARBK-së në zbatim të ligjit. Ndër sfidat ligjore nga ARBK potencuan dorëzimin e statutit të ri të bizneseve edhe për ndryshimet më të vogla, ankesat e bizneseve për kuotën gjinore në bordet e shoqërive aksionare, ndikimin e kuotës gjinore edhe në bordet e shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, si dhe çështje tjera të lidhura me zbatimin e ligjit për shoqëritë tregtare.
Deputetët i dhanë mbështetje ARBK-së në zbatimin e këtij ligji, në lehtësimin e shërbimeve ndaj bizneseve dhe kërkuan që të vazhdohet me regjistrimin e shoqërive aksionare në pajtim me ligjin sa i përket kuotës gjinore në bordet e shoqërive aksionare.
Po ashtu, deputetët vizituan ambientet e brendshme të ARBK-së, për të parë nga afër punën që behët aty, si dhe përcollën procesin e regjistrimit dhe ndryshimit të të dhënave nga përfaqësues të bizneseve.
Pjesë e këtij delegacioni nga grupi i punës, ishin edhe deputetët, znj.Jeta Statovci dhe z.Driton Hyseni.
Aktivitetet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit do të vazhdojnë edhe në javët në vijim. /2LONLINE.com/