(2LONLINE) – Në Gjilan u mbajt debat me temën “Fuqizimi i gruas në vendimmarrje lokale”, organizuar nga Organizata Jo Qeveritare “Merita”, aktivitet ky në kuadër të projektit “Zonja e vetvetes”, projekt i cili ka pasur për qëllimi sensibilizimin e shoqërisë mbi të drejtën e gruas për të votuar lirshëm në zgjedhje.
Panelistet e këtij debati theksuan së gruaja, domosdoshmërish duhet të përfshihet në proceset vendimmarrëse, dhe të jetë pjesë aktive e shoqërisë, pasi që vetëm përmes kësaj forme, sigurojmë një shoqëri më demokratike dhe shtim të vlerave në respektimin e të drejtave njerëzore.
Drita Klaiqi, zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Gjilanit, ka theksuar se asamblistët e zgjedhura duhet të jenë më të zëshme për fuqizimin e gruas në vendimmarrje.
Leonora Bunjaku, asamblistë nga radhët e PDK-së, ka thënë se subjekti i saj, i ka dhënë prioritet vazhdimisht gruas, në proceset vendimmarrëse siç është rasti me inkuadrimin e saj në pozita kyçe në disa drejtori në Komunën e Gjilanit, dhe se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë ti përkrahin ato.
Hafize Halili, përfaqësuese e subjektit të LDK-së, potencoi se gruaja duhet të angazhohet më tepër politikë bërje. Ajo, tha se vetëm me përkushtim mund të arrihen rezultatet, duke aluduar në rezultatet e arritura nga gratë e subjektit të saj, në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Arjeta Rexhepi nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se nuk është punuar mjaft me grat, nga të gjitha partitë politike dhe se në të ardhmen duhet të gjinden forma që atë ta përfshijnë në procese.
Ndërsa, Vasilika Bunaj, potencoi se asnjë subjekt politikë nuk e përkrah sa duhet femrën, dhe se kuota prej 30% e përcaktuar me ligj, nuk duhet të mbetet e tillë, por se ajo duhet të rritet, që gruaja të përfaqësohet më tepër në institucionet lokale. Ajo, po ashtu tha se nga zgjedhjet e 3 nëntorit, gratë të cilat janë angazhuar më shumë kanë arritur rezultate dhe u ka bërë thirrje të tjerave që në të ardhmen të angazhohen më tepër.
Sevdije Vranja, zyrtare pranë Policisë së Kosovë, ka inkurajuar të gjithë pjesëmarrësit e këtij debati, që në të ardhmen të ketë më tepër bashkëpunim midis organizatave, në mënyrë që gruaja promovohet dhe ti sigurohet asaj një përfaqësim më i mirë në shoqëri.
Liza Gashi, menaxhere e këtij projekti ka kërkuar që gratë, përpos përfaqësimit që duhet ta kenë në institucionet e nivelit lokal ato duhet të jenë zë e jo vetëm numër, duke i artikuluar mirë kërkesat e grave dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile si Ramadan Mehmeti dhe Hekuran Aliu sugjeruan që gratë të insistojnë më shumë për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe të jenë zë aktiv në adresimin e kërkesave të qytetarëve.
Përndryshe, drejtoresha e organizatës jo qeveritare “Merita”, Afërdita Këqiku, prezantoi shkurtimit aktivitetet e zhvilluar në kuadër të këtij projekti, si dhe prioritet që duhet të kihen parasysh në të ardhmen, në zhvillimin e programeve dhe projekteve në informimit mbi barazinë gjinore dhe përfshirjen e gruas në vendimmarrje lokale. /2LONLINE/