Në një konferencë për media, Anëtarët e Komitetit për Gripin Sezonal kanë kërkuar që të mos përdoret termi ‘grip i derrave’ për arsye të konfuzionit dhe panikut në publik.
Sipas tyre, Kosova nuk ka nevojë për panik dhe se çdo vit kalenderik ka grip, por jo pandemi sikurse në vitin 2009.
Drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, tha se gripi në territorin e Kosovës është në nivel mesatar. “Ne kemi raportuar mbi 29 mijë raste të dyshimta, pasi nuk dihet sa janë me grip. Mbi 4.000 janë infektive, 43 raste janë raportuar si gjendje më e rëndë e gripit sezonal, ndërsa dhjetë me vdekje. E kemi shpall si gjendje epidemike për shkak të rasteve të vdekjeve. Këto raste janë mbi 65-vjeç. Katër raste janë A1H1 dhe gjashtë raste të grupit A”, ka thënë ai.
Ndërsa, Hamdi Ramadani, drejtor i Infektologjisë, ka thënë se rreth 500 raste me grip sezonal janë regjistruar që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Basri Sejdiu, drejtor i QKUK-së, tha se nuk ka nevojë për panik dhe se gjendja nuk është emergjente.
Ndryshe, simptomat e para të gripit sezonal janë temperatura, rrjedhjet nga hunda dhe më të atakuarit janë të sëmurët kronikë, ndërkohë që rekomandohet që të shmangen sa më shumë vendet e mbyllura.