Green Art Center – Prishtina në bashkëpunim me organizatën qeveritare GIZ-SMS program, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me komunën e Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjakovës, do të organizojë aktivitete të shumta me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, që do të shënohet këtë të hënë më 5 qershor.
Për shënimin e kësaj dite do të zhvillohen aktivitete të ndryshme bashkarisht me “Klubet e Gjelbra” të shkollave fillore dhe të mesme të këtyre komunave, me qëllim ngritjen e vetëdijes së komunitetit për ruajtjen e mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë.
Në të gjitha komunat do të ketë marshe sensibilizuese nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilët në duar do të mbajnë pankarda që përqojnë mesazhe të ndryshme për mbrojtje e mjedisit.
Meqenëse kjo ditë është caktuar qysh 30 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka pasur për qëllim ngritjen e vetëdijes rreth cështjeve të mjedisit dhe tërheqjen e vëmendjes politike ndaj këtyre cështjeve .
Pra, ideja dhe qëllimi kryesor i shënimit të kësaj ngjarje është nxitja e aktiviteteve dhe aksioneve për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit.
Kjo ditë zakonisht shënohet me një temë të caktuar, ndërsa për këtë vit tema kryesore është “Lidhja/afrimi e njerëzve me natyrën”.