Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi në mbledhjen e kolegjiumit të mbajtur, ka ndarë një mirënjohje për gjyqtarin e Departamentit të Krimeve të Rënda, Zyhdi Haziri, i cili nga viti 2021, do të avancohet si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Me këtë rast, kryetari Azizi, ka falënderuar gjyqtarin Haziri për kontributin e dhënë për disa vite si kryetar i Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe si gjyqtar, njëherët i ka dëshiruar suksese në Gjykatën e Apelit.
Një biografi e gjyqtarit Zyhdi Haziri:
Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1989 si dhe ka magjistruar në po të njëjtin universitet në vitin 2012, kurse provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2002.
Nga viti 2000 deri në prill të vitit 2004 ka qenë administrator i Gjykatës së Qarkut, ndërkohë prej prillit të vitit 2004 deri në vitin 2010 ka punuar si gjyqtar i Gjykatës Komunale në Gjilan.
Nga viti 2010 ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, ku mbas pesë muajve është zgjedhur kryetar i kësaj gjykate.
Me ndërrimin e sistemit gjyqësor kryetari Haziri me datën 01.01.2013 deri me datë 31.12.2016 ka mbajtur pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Nga viti 2017 deri më datë 31.12.2020, ka qenë gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Mbledhja e kolegjiumit ka vazhduar më pas me pikat e rendit të ditës siç kanë qenë të parapara, aprovimi i procesverbalit të mbledhjes së muajit nëntor, për të vazhduar me shqyrtimin e raportit vjetor për vitin 2020.
Si pikë e rendit të ditës ka qenë edhe aprovimi i Planit të Punës për vitin 2021, i cili është aprovuar. /2LONLINE.com/