Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi së bashku me Shefin e Departamentit të Përgjithshëm, Venhar Salihu, të premten kanë pritur në takim Ekspertin për Prokurori dhe Drejtësi Penale, Cristian Nicoara dhe Ekspertin për Trajnime dhe Ndërtim të Kapaciteteve, Dragomir Yordanov nga Programi për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë i financuar nga BE-ja.
Kryetari Azizi, ka mirëpritur ndihmën e këtyre ekspertëve, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme mbajtjen e trajnimeve për gjyqtarët, si në fushën penale ashtu edhe në atë civile.
Më konkretisht, ai ka kërkuar që trajnimet të jenë për veprat më specifike siç janë: veprat penale kibernetike, të korrupsionit etj., ndërsa në lëminë civile të jenë për çështjet kontestimore dhe të jenë trajnime më shumë të karakterit praktik.
Po ashtu, ka përmendur edhe mungesën e numrit mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe të zyrtarëve ligjore, me të cilat probleme po përballet Gjykata.
Nga ana tjetër, ekspertët kanë shprehur gatishmëri të ndihmojnë Gjykatën Themelore të Gjilanit së bashku me degët në disa fusha.
Ndryshe, aktivitetet e këtij programi janë: mekanizmi i koordinimit ndërinstitucional dhe korniza ligjore për sektorin e drejtësisë të jenë në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane, përmirësimi i pavarësisë, llogaridhënies, efikasiteti i profesionistëve në sektorin e drejtësisë dhe kushtet për të garantuar qasje më të mirë në drejtësi për të gjithë qytetarët, me fokus të veçantë për gratë, grupet e prekshme, të margjinalizuara dhe të papërfaqësuara.
Gjithashtu, në fokus të aktiviteteve ka edhe zbatimin e anti-korrupsionit, anti-pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizmit, masat e anti-terrorizmit dhe përputhja e tyre me standardet evropiane. /2LONLINE.com/