(2L ONLINE) – Një kolegj penal i Departamentit të Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit, e ka refuzuar ankesën e të pandehurit R. Dauti, ndaj aktgjykimit P.nr.462/2013, të datës 25.04.2014 dhe të njëjtin e ka vërtetuar në tërësi – njofton zyra për informim e Gjykatës së Apelit.
Sipas këtij aktgjykimi R. Dauti ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 40 ditë burgim për shkak të veprës penale lajmërim i rremë nga neni 306 i Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata e Apelit gjeti se pararendësja e saj me të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike nga e cila del se pandehuri me datë 26.08.2010 në cilësi të paditësit subsidiar (pasi më parë i’u kishte hedhur kallëzimi penal nga Prokuroria Komunale në Prizren), kishte lajmëruar rrejshëm në Gjykatën Komunale në Prizren, se kinse Naser Maliqi gjyqtar në Gjykatën Komunale në Viti (tash gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan), ka kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit, edhe pse ka qenë në dijeni se një vepër e tillë nuk është kryer nga i njëjti. Kjo për faktin se lënda për të cilën kishte pohuar i pandehuri se e ka kryer gjyqtari i lartcekur ishte vërtetuar deri në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe se për këtë Gjykata e Qarkut në Prizren kishte hedhur poshtë një kallëzim penal të ushtruar nga ai.
Gjykata e Apelit konstaton se aktgjykimi i lartcekur nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as shkelje tjera të cilat kjo gjykatë i verën çdoherë sipas detyrës zyrtare./2L ONLINE/