(2L ONLINE) – Drejtoria komunale e Inspekcionit, në bashkëpunim me Agjencionin e veterinës dhe ushqimit dhe policinë e Kosovës, ka marrë një aksion në qytetin e Vitisë dhe në Pozheran nëpër gjitha subjektet afariste me qëllim të inspektimit për implementimin e ligjit për duhanin në hapësirat e këtyre lokaleve.
Gjatë këtij aksioni janë inspektuar rreth 25 lokale afariste, prej tyre në 19 sosh janë gjetur shkelje të ligjit, ku është pirë duhani. Ushtruesi I detyrës së drejtorit komunal të Inspekcionit në Viti Skender Ahmeti, thotë se përkundër sugjerimeve që të mos pihet duhani nga personat fizik në ato lokale, megjithatë në 19 raste është evidentuar shkelje e ligjit për duhanin.
“Pos këtyre shkeljeve nga pronarët e lokaleve të cilave u është shqiptuar masa e procedurës gjyqësore, janë kapur edhe 10 perona fizik që kanë qenë duke pirë duhan dhe ndaj të cilëve është shqiptuar masa e gjobës prej 50 euro që duhet ta paguajnë në afat prej 7 deri 10 ditë”, tha Ahmeti.
Ai ka bërë të ditur se do të merret aksioni edhe në objektet publike, si ne administratë, objekte shkollore, ambulantë dhe çdo institucion ku do të merren masa. Ai thekson gatishmërinë institucionale për zbatimin e ligjit dhe shton se do të jenë të pamëshirë ndaj atyre që shkelin ligjin e pirjes së duhanit në objekte publike, e sidomos shërbyesve civil të cilëve gjoba do ti ndalet në pagë.
Ahmeti po ashtu ka përmendur edhe inspektimin e artikujve ushqimor dhe skadimin e tyre dhe ka kërkuar nga qytetarët që të lajmërojnë Drejtorinë e Inspekcionit në rast të skadimit të afatit të gjërave ushqimore, apo edhe në rast të mos përputhjes së çmimeve nëpër Qendrat tregtare, ku ndryshon çmimi I arkës me atë që ekspozohet malli në rafte./2L ONLINE/