(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, të cili e ka informuar me zhvillimet në Gjilan, por edhe me ndryshimet që kanë ndodhur pas zgjedhjeve lokale në këtë qytet në fusha të ndryshme.
Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se Gjilanin sot po e viziton një mik i madh, të cilin e kam informuar me zhvillimet që kanë ndodhur por edhe me projektet dhe planifikimin që e kemi për të ardhmen.
“Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë është sot për një vizitë në qytetin e Gjilan. Ambasadori është një mik i madh i Gjilanit dhe Kosovës. Atë e kamë informuar sot për zhvillimet dhe angazhimin që është ndërmarr në këtë periudhë pas zgjedhore. Unë falënderoj përmes Ambasadorit shtetin e Norvegjisë për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që ka dhënë për vendin tonë me të gjitha mundësitë”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.
Ndërsa ambasadori Norvegjez Braathu, tha se ndjehet mirë që për herë të parë zyrtarisht ka vizituar Gjilanin e që është njohur me zhvillime pozitive me theks të veçantë për të ardhmen e biznesit të Kosovës.
“Unë sot jam për herë të parë zyrtarisht në Gjilan, dhe poashtu jam këtu për të vizituar edhe disa zhvillime në biznes, siç është rasti kur ta vizitoj fabrikën e Biçikletave “Al Bimi” në Gjilan. Çdokush duhet ta ketë një biçikletë dhe pikërisht për këtë sot do ta vizitoj këtë fabrikë. Zhvillimi ekonomik ka shumë rëndësi dhe vendet e punës kanë poashtu rëndësi të veçantë dhe do të shohim se si bëhet promocionin i produktit Kosovar nga Kosovarët”, ka thënë ambasadori Jan Braathu. /2L ONLINE/