Gjilani pritet ta pranojë sot gjatë ditës aparatin RT-PCR për t’i punuar mostrat për COVID-19.
Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP) në Gjilan, Dr. Ajhane Sefiu, në mbledhjen e Komitetit të Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“E kam një lajm të mirë për qytetarët e Gjilanit se sot na vjen aparati për RT-PCR, i cili besojmë se shumë shpejtë do të aktivizohet dhe mostrat që i marrim do t’i punojmë tashmë në QRSHP”, ka thënë Sefiu, në konferencën për gazetarët.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Ukshin Ismaili, ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u trajtuar 51 pacientë me oksigjeno-terapi, duke shtuar se tash për tash nuk ka mungesë oksigjeni.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Dr. Arbenita Hajdari, tha se brenda ditës ekipet e tyre po i bëjnë afro 65 vizita nëpër shtëpi tek pacientët e prekur me COVID-19.
Ajo bëri të ditur, po ashtu, se kanë pranuar 7500 doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat po shpërndahen në mënyrë racionale, duke u bërë thirrje të gjithëve që kanë nevojë, t’iu drejtohen qendrave të mjekësisë familjare.
Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemajli, e ka paraqitur gjendjen e përgjithshme, e cila është si vijon: nga 6882 mostra, 2709 të rezultuar pozitivë, 2278 të shëruar, 352 raste aktive, 79 të vdekur, të hospitalizuar të konfirmuar me COVID-19 janë 72, ndërkaq mostra në pritje janë 134.