/2L ONLINE/ – Falë planifikimit të Drejtorisë së Bujqësisë së Gjilanit dhe me mbështetje të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, sot është bërë shpërndarja e farës, për mbjelljet vjeshtore për 730 fermerë dhe kështu po mbështeten të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur t’i plotësojnë kriteret e subvencionimit të farës nga Ministria e Bujqësisë.
Kushtet klimatike dhe përgatitja e fermerëve është mjaftë e mirë dhe në parametrat e kërkuar edhe profesional që të bëhet mbjellja vjeshtore, ka thënë gjatë shpërndarjes së farës, drejtori i Bujqësisë së Gjilanit, Ramiz Ramadani.
“Së pari ndjehem shumë i kënaqur që kushtet klimatike janë jashtëzakonisht të mira për mbjelljet vjeshtore. Fara do të shpërndahet gjatë ditës së sotme dhe gjatë gjithë uikendit në mënyrë që bujqët të bëjnë mbjelljen e saj për kohë të mirë. Në këtë fazë po mbështesim nga buxheti i Komunës së Gjilanit 730 fermerë, me gjithsej 140 mijë kilogram farë gruri, që do të mbjellen rreth 600 hektarë, nga 3 mijë sa është e planifikuar të jenë gjithsej të mbjella në Gjilan. Kjo është arritur falë përkrahjes së plotë të kryetarit Haziri, i cili projektet për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen për fermerët përherë i aprovon në afatin më të shpejtë të mundshëm”, ka deklaruar drejtori, Ramadani.
Ai gjithashtu ka dhënë edhe detajet tjera sa i përket cilësisë së farës, e cila sipas tij, është me një potencial të lartë të rendimenteve dhe shumë e përshtatshme për tokën e Gjilanit.
“Këtë vit jemi përcaktuar për varietetet kroate të Institutit të Osjekut, që kanë një cilësi të lartë dhe potencial gjenetik të rendimenteve mbi 11 tonë për hektar. Këto varietete janë edhe në listën kombëtare të farërave dhe lehtë të adaptueshme për tokën e Gjilanit. Rendimentet e vitit 2016 ishin rekorde, që përpos kushteve klimatike shumë të favorshme, një rol të madh ka luajtur edhe fara cilësore, mekanizimi bujqësor i përdorur dhe masat tjera që janë ndërmarrë nga fermerët”, ka spikatur në fjalën e tij Ramadani.
Drejtori i Bujqësisë, gjithashtu, ka paralajmëruar edhe projekte tjera gjatë këtij muaji dhe deri në fund të vitit për këtë sektor, ndërsa theksoi se planifikimet për vitin e ardhshëm janë edhe më të mëdha.
Ndryshe, fusha e bujqësisë në Gjilan, nga Komuna e Gjilanit është duke u mbështetur gjithnjë e më shumë. Nga informacionet e drejtorit Ramadani, është bërë e ditur se pos farës së siguruar cilësore, fermerët janë pajisur në projekte të ndryshme edhe me material fidanor, konstruksione të serrave, pajisje për bletarët, makina mjelëse, rregullim të infrastrukturës rrugore, mekanizim të lloj-llojshëm buqësor, etj. /2L ONLINE/