Komuna e Gjilanit ka filluar aplikimin e mësimit nga distanca më 16 mars, përmes platformës mesojmengashtepia.com dhe brenda një jave ka realizuar 4509 aktivitete arsimore, që përfshijnë ligjërata, ushtrime, detyra dhe 360 video prezentime.
Sipas drejtorit të Arsimit, Nazim Gagica, ky projekt për herë të parë ka nisur të realizohet në nivel vendi, sa i përket shkollave publike, pas ndërprerjes së procesit mësimor në objektet shkollore si preventivë për shkak të COVID -19.
“Interesimi është i jashtëzakonshëm i nxënësve, mësimëdhënësve dhe prindërve dhe kjo platformë tanimë ka dhënë efektet e veta, pasi që kjo mban në kontinuitet dhe lidhje të drejtpërdrejt komunikimi (virtual) mes mësimëdhënësve të niveleve dhe lëndëve përkatëse me nxënësit e tyre, e që e bënë të dallueshme nga platforma e MASHT, e cila filloi dje së implementuari përmes RTK’së”, ka deklaruar Gagica.
Gagica ka njoftuar se po bëjnë përpjekje për të zgjeruar platformën edhe në disa fshatra të cilat nuk janë përfshirë në fazen e parë të projektit.
“Mësimi në distancë padyshim se do të jetë pjesë e planit strategjik e afatgjatë në arsim dhe se kjo platform, do të jetë bazë dhe pikënisje (por shumë më e avancuar) për realizimin e ketij plani”, ka përfunduar Gagica.