Dy skuadrat e qytetit të Gjilanit që bëjnë gara në BKT Superligën e Kosovës në futboll, Gjilani e Drita, e kanë përmbyllur javën e 14-të, siç është më së miri.
Të dyja ekipet kanë shënuar fitore, porse kjo fitore është bërë edhe më domethënëse, për faktin që i ka ranguar këto dy skuadra në vet kreun e tabelës, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Gjilani si skuadër mysafire ka shënuar fitore të vlefshme 2 me 1, duke e mundur Ulpianën, fitore kjo që për momentin, ia jep kreun e tabelës. E veçanta e këtij takimi ishte edhe fakti se gjilanasit përmbysën rezultatin.
Pjesëloja e parë u përmbyll në dobi të vendësve 1 me 0, golashënues Egzon Qerimi (23’). Por, pjesëloja e dytë ishte e gjilanasve, që me dy gola përmbysën rezultatin dhe arkëtuan tri pikë, që e vendosin në vendin e parë në tabelë.
Golashënues për Gjilanin ishin Albert Dabiqaj (65’) e Gerhard Progni (84’).
Gjilani tani ka 25 pikë nga 6 fitore e 7 barazime derisa ka pësuar vetëm 1 herë.
Në anën tjetër, në stadiumin e qytetit të Gjilanit, Drita si skuadër nikoqire ka shënuar fitore të rëndësishme duke e mundur Drenicën, poashtu një pretedentë për pjesën e sipërme të tabelës.
Ndonëse fitorja ishte minimale (1-0), Drita luajti mirë, sidomos në pjesëlojën e dytë, edhe atë reparti ofanzivë duke krijuar më shumë raste për shënim, transmeton 2LONLINE.com.
Golin e vetëm në këtë takim e ka shënuar Marko Simonovski në fund të takimit (89’)
Tani me këtë fitore, Drita ka pikë sa lideri Gjilani, plotë 25, të grumbulluara nga 7 fitore e 4 barazime, derisa ka humbur 3 herë. Goldallimi më i dobët se i Gjilanit, e rendit Dritën në pozitën e dytë.
Përndryshe, nga kjo xhiro ka mbretur pa u zhvilluar edhe ndeshja Llapi – Ballkani që luhet nesër. Momentalisht Ballkani ka 24 pikë dhe me një fitore apo barazim të mundshëm, mund ta merr kreun e tabelës.
E, Gjilanin e Dritën që ndajnë kreun e tabelës, pikërisht në javën e radhës, të 15-tën me radhë, i pret ballafaqimi i ndërsjellë, një derbi ky i madh që e identifikon edhe futbollin kosovar e më tej. /2LONLINE.com/