E mërkura, për dashamirët e futbollit, sjellë ballafaqimet e javës së 29-të, në Ipko Superligën e Kosovës në futboll, ku janë paraparë tri duele në mesin e të cilave edhe ajo mes Gjilanit dhe Prishtinës, kundërshtarë të drejtpërdrejtë për kreun e tabelës.
Ky takim zhvillohet në stadiumin e qytetit të Gjilanit dhe fillon në orën 17:00. Për shkak të situatës me pandemi dhe masave të ndërmarra nga institucionet përkatëse, edhe ky takim luhet pa praninë e tifozerisë.
Për të dyja skuadrat ky takim vlerësohet si i një rëndësie të veçantë. Aktualisht Prishtina mban pozitën e dytë në tabelë me 57 pikë të grumbulluara nga 28 takime duke qenë 4 pikë prapa liderit (Drita – 61 pikë), derisa Gjilani ka 55 pikë nga po 28 takime që e radhisin në pozitën e katërt dhe se me fitore eventuale do ta kalonte skuadrën e kryeqytetit për nga pikët e grumbulluara.
Përndryshe, përveç takimit mes Gjilanit e Prishtinës, sot në orar janë edhe takimet; Ballkani – Llapi dhe Drenica – Ferizaj, derisa tri takimet tjera luhen nesër. /2LONLINE.com/