Komuna e Gjilanit i është bashkuar aksionit të organizuar nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo, Missing Persons Resource Center, forumZFD – Kosovo Program, Integra, Humanitarian Law Center, për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, më 27 prill në ora 20:30, ku ftohen të gjithë qytetarë/et që t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë apo banesat e tyre për 5 minuta.
Duke kaluar 5 minuta në errësirë do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilin ndodhen familjarët e 1,621 personave të pagjetur tash e 23 vite. Ndalja e dritave, tashmë është shndërruar në traditë, me anë të së cilit çdo vit, në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë, bashkë do t’i kujtojmë personat e pagjetur.
Edhe pas më shumë se dy dekadash familjarët e personave të pagjetur kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, ndërsa presin në ankth për të vërtetën dhe nuk ndalën së besuari që të vendoset drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.
Edhe sot e kësaj dite, jemi dëshmitarë të dështimit institucional kundrejt çështjes së personave të pagjetur. E drejta për të ditur të vërtetën është një ndër parimet themelore të ballafaqimit me të kaluarën, andaj ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të adresojë me seriozitet çështjen e personave të pagjetur në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kërkesa kryesore ka qenë dhe mbetet zbardhja e fatit të personave të pagjetur.
Në do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi ligjore dhe morale nga Qeveria e Kosovës për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur dhe nga shoqëria kosovare përgjegjësi kolektive të vazhdojë t’i kujtojë personat e pagjetur, sepse ata/o janë pjesë e shoqërisë tonë dhe pjesë e pashmangshme e ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimit të paqes.
*Ky aksion organizohet nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo, Missing Persons Resource Center, forumZFD – Kosovo Program, Integra, Humanitarian Law Center /2LONLINE/