Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, ka filluar sot shpërndarjen e librave falas për 12 mijë e 282 nxënës, përfshirë edhe mjetet didaktike për grup-moshën 5-6 vjeç, si institucionet parashkollore dhe çerdhet.
Nazim Gagica, drejtor i DKA-së, ka falënderuar Ministrinë, duke informuar se ky poces i shpërndarjes do të përfundoj javën e ardhshme për të gjitha institucionet edukative dhe arsimore të komunës së Gjilanit.
“Kemi pranuar librat nga Ministria e Arsimit dhe jemi duke i shpërndar në bazë të numrit të nxënësve dhe shkollave të Komunës së Gjilanit. Janë të angazhuar të gjithë menaxherët dhe stafi i shkollave, duke përfshirë këtu edhe stafin e DKA-së. Dita e parë e shkollës do të jetë e kompletuar edhe nga aspekti i literaturës, por edhe përgatitjeve që i kemi bërë në vazhdimësi për fillimin e mësimit nëpër shkollat e Gjilanit. Urojmë që gjithçka të ecë në bazë të planifikimit që kemi bërë”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Gagica. /2LONLINE.com/