Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me Islam Cakaj, përfaqësues i donatorit nga Kuvajti “Euro Sky”, kanë vendosur gurthemelin e Kompleksit më të madh në Republikën e Kosovës, i cili shërben për kategori të ndryshme të qytetarëve pa përkujdesje familjare.
Në kompleksin e nisur sot, do të ndërtohet Qendra e Fëmijëve të Brakstisur, Shtëpia e Pleqëve, dy konvikte, një menzë për ushqim, një çerdhe, një ambulantë dhe disa objekte përcjellëse, sikur që është ajo për kujdesin e grave që janë të cënuara nga dhuna në familje, pastaj objekti për qëndrimin ditor të fëmijëve me nevoja të veçanta, etj.
Në fjalën e tij kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se sot po nis kompleksi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro, për personat që kanë nevojë për mbështetjen e shtetit dhe të njerëzve në përgjithësi
“Këtë qendër do ta shfrytëzojnë fëmijët jetim, gratë që kanë nevojë të ruhen apo mbrohen, pleqtë e pa mbrojtur, fëmijët me sindrome të ndryshme dhe kategori të tjera dhe vlera e investimit është mbi 2.5 milionë euro. Ky investim ka ardhur në Gjilan pas shumë bisedave dhe hulumtimit të gjithë terrenit të Kosovës. Koha e realizimit të këtij projekti do të jetë shumë më e shkurtër se koha që kemi pritur të filloj projekti”, ka thënë kryetari Haziri, derisa ka shprehur falënderime për donatorin “Euro Sky” dhe të gjithë ata që janë duke u përkujdesur për kategori të veçanta të shoqërisë në Gjilan.
“Kategoritë që nuk kanë një organ të trupit kanë një aftësi shumë më të madhe se të gjithë ne të tjerët, por ata janë të barabartë me neve. Unë kështu i konsideroj gjithmonë. Vetëm të barabartë me ne”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ndërsa, Islam Caka, ka folur në emër të donatorit nga shteti i Kuvajtit “Euro Sky”, i cili ka thënë se ky përcaktim është për një vend të veçantë, për një qëllim të veçantë dhe për njerëz të veçantë.
“Ky projekt i ka takuar Gjilanit sepse ka qenë e vetmja Komunë e cila ka bërë shumë shpejtë të gjitha përgatitjet e nevojshme që sot projekti të jetë gati për të filluar. Ky është një donacion që vjen nga Kuvajti dhe falënderojmë donatorin që ka ndarë mjetet për të financuar këtë projekt me shumë rëndësi. Qëllimi i këtij projekti ka veçantinë e tij për një kategori të qytetarëve që ata të integrohen sepse janë sikur ne të tjerët, ose ne sikur ata. Shpresojmë shumë nga donatori që edhe në të ardhmen të vazhdojmë me projekte të tjera”, ka thënë mes tjerash ai.