/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, në një seancë solemne të Kuvendit të Komunës, ka ndarë sot titullin “Qytetar Nderi” për Rexhep Berishën, babain e heroit Nuhi Berisha, duke e vlerësuar si personalitet që i bënë nderë jo vetëm familjes dhe Gjilanit, por gjithë Kosovës, si njeri me vyrtyte të larta të gjyshit, babait dhe kryefamiljarit të përkushtuar në edukim dhe frymë patriotike për gjithë familjen Berisha dhe më gjerë.
Me këtë rast, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se sot për Gjilanin 28 Nëntori është ditë e veçantë pos festës kombëtare, edhe për arsyen se Komuna e Gjilanit ndan titullin “Qytetar Nderi” për babain e heroit Nuhi Berisha.
“Sot në 103 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në ditën e flamurit kombëtar, Komuna e Gjilanit ndan titullin “Qytetar Nderi” për Rexhep Berishën, i cili, është simbol i qëndresës dhe krenarisë në rrugëtimin e gjatë patriotik e kombëtar. Heroizmi dhe sakrifica në familjen Berisha është një histori e gjatë. Këtë rrugëtim dhe sfida në të njejtën kohë, baca Rexhë, ka ditur ta kthej në frymëzim edhe për të tjerët deri në fitore. Burrat si Rexhep Berisha i nevojiten përherë popullit, në mënyrë që të mos përulet asnjëherë para pushtuesve”, ka thënë ajo duke potencuar se Kuvendi i Komunës nga sot ndan titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin për avancim të vlerave njerëzore, për humanizëm e sakrificë dhe simbol i qëndresës Kombëtare.
Ndërsa në fjalën e tij kryetari, Lutfi Haziri ka thënë se Kuvendi i Komunës ndan sot një çmim të vogël për bacën Rexhë, që është shtylla e familjes së tij, por shumë të madh për Gjilanin, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
“Mundi, sakrifica dhe përballja me ato dekada të vështira që kjo familje ka kaluar janë sot krenari për të gjithë ne. Nuhi Berisha, në ditën e rënies, kishte zgjedhur rrugën e tij. Ai me vetëdije të plotë dhe në veprim së bashku edhe me Rexhep Malën, dhanë jehonën e madhe atëherë në vitet e ’80, kohë kur shqiptarët ishin të shtypur dhe pa të drejta të plota. Mirëpo, pas kësaj, jeni ju familjarët e tyre që jeni përballur me gjithë atë dhunë dhe terror e padrejtësi”, tha ai.
“Dje në shpalljen e zonjës Hanife theksuam se ajo kishte gjendjen e vështirë, sepse edhe në familjen e babës së saj, në familjen Limani, por edhe në të burrit, në familjen Mala, meshkujt pothuajse të gjithë ishin nëpër burgje, mirëpo atë e mbajti ideali dhe amaneti i madh që ajo të jetë sinonim i yni sot. Ndërsa, Rexhep Berisha, ishte njeri që ka edukuar jo vetëm familjen e tij, por të gjithë neve përmes fjalëve e këshillave të mira, kudo që e kemi takuar. Ndjehem shumë i lumtur që arritëm që për së gjalli të ndajmë këtë titull për juve, sepse ky është titull në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit. Nga sot ju jeni baba dhe gjyshi i gjithë familjeve dhe njerëzve të mirë shqiptarë të Gjilanit, sikur që zonja Hanife Mala, është nëna dhe motra jonë poashtu”, ka thënë kryetari Haziri, duke potencuar se këto tri ditë feste u janë dedikuar të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të rënë të Gjilanit.
Nga ana e saj, Shukrie Gashi, bashkëveprimtare e Nuhi Berishës, ka thënë se shpallja e qytetarit të nderit për familjen Malaj e Berisha, nuk është nderë vetëm për ata, por është nderë i madh fillimisht për Gjilanin por edhe për Kosovën.
“Dy familjet Mala dhe Berisha, ishin ato që i dhanë Kosovës bijtë, të cilët inicuan themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lirisë të cilën ne po e gëzojmë sot. Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha ishin bashkë përherë, deri në rënien e tyre heroike. Të tillë duhet të jemi edhe ne të gjallët përherë bashkë në shërbim të vendit”, ka thënë ajo ndër të tjerash. /2L ONLINE/