Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, i kanë dorëzuar sot çelësat e shtëpive të reja 20 familjeve me gjendje të rëndë sociale.
Kryetari Haziri tha me këtë rast se prioritet kanë qenë jetimët, nënat vetëushquese dhe familjet me gjendje të rëndë sociale.
“Me ngjarjen e sotme, numri i familjeve që iu kemi ndërtuar shtëpi në Gjilan është 135, duke qenë komuna kampione sa i përket zgjidhjes së këtij problemi. Pritoritet kanë qenë jetimët, nënat vetëushquese dhe familjet me gjendje të rëndë sociale. Unë e falënderoj shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për këtë donacion të jashtëzakonshëm, të cilët në afatin më të shkurtër të implementimit dhe me drejtësinë që është vendosur, na kanë bërë të gjithëve krenarë dhe të besueshëm për të vazhduar programin”, tha Haziri.
Haziri tha se janë duke u ndërtuar edhe dy shtëpi, ndërkaq kanë mbetur edhe 25 të tjera për të përmbyllë problemin e banimit.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka deklaruar se është shumë i kënaqur me realizimin e këtij projekti sikurse edhe me bashkëpunimin e madh të Komunës së Gjianit, duke shtuar se ky nuk do të jetë edhe projekti iI fundit për këtë komunë.
Përndryshe, Komuna e Gjilanit ka participuar 5 mijë euro për shtëpi.