/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit së bashku me donatorët, vëllezërit Burhan dhe Basri Hyseni, kanë vënë sot gurëthemelin e ndërtimit të shtëpisë për familjen pesë anëtarëshe të Përparim Halilit në Verbicë të Zhegocit, i cili deri tani ka jetuar në gjendje të rëndë të banimit.
Pas vënies së gurëthemelit, kryeari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar vëllezërit Hyseni për këtë donacion, i cili vije pas organizimit të mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, të organizuar në nëntorin e vitit 2014.
“Unë i falënderoj vëllezërit Burhan dhe Basri Hyseni, dy gjilanasit që jetojnë dhe punojnë në Zvicër me familje, për donacionin që e kanë ndarë për familjen e Përparim Halilit në Verbicë të Zhegocit. Është familje pesë anëtarëshe e cila ka jetuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë dhe ka qenë në listën e Komunës që është përzgjedhur nga vetë donatori”, ka thënë Haziri.
Haziri ka bërë të ditur se nga fondi i Komunës janë duke i rindërtuar edhe 38 objekte sipas kërkesave të qytetarëve, janë duke paguar qira për 40 familje, ndërsa ka paralajmëruar se gjatë verës do të nisin të ndërtohen edhe 6 shtëpi të tjera.
“Ne do të vazhdojmë me aksionin solidar falë donatorëve që po vijnë nga njerëzit vullnetit të mirë si Burhani e Basriu, të cilët ndajnë nga pasuria dhe nga të ardhurat e familjes për t’iu ndihmuar familjeve skamnore. Nga Fondi i Komunës, ne jemi në rindërtim të 38 objekteve, do të vazhdojmë të paguajmë qira për 40 familje, ndërsa edhe 6 shtëpi të tjera gjatë verës do të fillojnë të ndërtohen. Dallimi jonë me komunat tjera është që ne i ndërtojmë shtëpitë me çelësa në dorë”, është shprehur kryetari i Gjilanit.
Donatori Burhan Hyseni ka shprehur gëzimin që shumë shpejt familja Halili nga Verbica e Zhegocit do të hyjë në shtëpi të re, ndërsa ka konfirmuar se ky nuk do të jetë donacioni i fundit.
“E falënderoj Zotin që na e ka dhënë mundësinë që ta ndihmojmë këtë familje me gjendje shumë të rëndë. Po ndihem shumë mirë që po ia ndërtojmë shtëpinë Përparimit dhe ky nuk ka me qenë donacioni i vetëm. Sipas mundësive tona do të vazhdojmë të japim kontributin tonë edhe në të ardhmen”, tha Hyseni.
Fjalë falënderimi për kryetarin Haziri dhe donatorin ka shprehur Përparim Halili, i cili tregoi se deri tash ka jetuar në gjendje të tmerrshme.
“Unë kam jetu në gjendje shumë të keqe. S’ka pasë kushte me jetu në shpijën e vjetër sepse ka piku në tana anët. E falënderoj kryetarin për iniciativën dhe familjen Hyseni që po na ndërton shtëpinë. Zoti i shpërbleftë”, ishin fjalët e Përparimit.
Pas inaugurimit të shtëpisë, donatori Burhan Hyseni ia shpërndau disa pako ushqimore familjes së Përparim Halilit.
Përndryshe, në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata” të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Haziri në nëntorin e vitit 2014, u premtua ndërtimi i 11 shtëpive, ndërsa pas kësaj u lajmëruan edhe 26 donatorë të tjerë, duke u trefishuar premtimi publik. /2L ONLINE/