Komunës së Gjilanit iu janë shtuar nga mbrëmë edhe 9 raste të reja të të infektuarve me virusin COVID-19. Kështu, kjo komunë aktualisht ka 55 raste aktive me këtë virus, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se 9 rastet e reja pozitive me COVID-19 në Gjilan, e kanë ngritur në 195 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me këtë virus brenda afro katër muajve. Prej tyre 4 kanë ndërruar jetë, 136 janë shëruar, ndërsa 55 raste janë aktive me virusin corona.
“Ky virus i panjohur na ka lodhur të gjithëve, por me disiplinë të përbashkët mund ta parandalojmë përhapjen e tij. Ju lutem, mos e neglizhoni sepse COVID-19 po merr jetë të njerëzve. Mos dilni pa masa mbrojtëse. Kujdesu për vete, për familjen, për qytetin, për Republikën”, ka thënë kryetari Haziri. /2LONLINE.com/