Tashmë, ka disa net, që Komuna e Gjilanit, nuk po atakohet me COVID-19. Nga të dhënat e publikuara mbrëmë nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike, del se kjo komunë nuk ka asnjë rast të ri me koronavirus, ndërkohë që i ka dy raste të shërimit të plotë, njëri rast është shëruar nga vetizolimi dhe, rasti tjetër, është shëruar nga hospitalizimi.
“Aktualisht, nga 51 raste të prekura në Gjilan, të shëruar kemi 31 raste, 2 raste vdekje, 1 rast në hospitalizim, dhe, 17 raste në vetë-izolim. Trajektorja e lakores së rasteve, ka marrë rënie të theksuar në nivel vendi. Kjo na bënë të ndihemi jashtëzakonisht mirë, por, asnjëherë të sigurt”, ka thënë, me këtë rast, Arbër Ismajli, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se duhet të vazhdojmë me masat e ndërmarra pasi nuk guxojmë të qëndrojmë indiferent ndaj kësaj pandemie.
“Vazhdoni të punoni, me kujdes të shtuar, duke i respektuar rekomandimet e nevojshme. Mos dilni në rrugë pa nevojë. Respektoni orarin e kufizimit të qarkullimit. Po shkojmë drejtë shërimit të plotë, dhe, nuk duhet t’i japim kahje potenciale të rritjes së kësaj pandemie”, ka thënë nënkryetari Ismajli. /2LONLINE/