U mbajt takimi i radhës i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan, lidhur me diskutimin e mbarëvajtjes së situatës epidemiologjike në Komunën e Gjilanit. Nga të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike, rezultojnë edhe 15 raste të reja pozitive me COVID19 nga Komuna e Gjilanit, dhe 26 të shëruar plotësisht.
Aktualisht, gjendja momentale është si në vijim: gjithsej, të rezultuar pozitiv deri më sot janë 408 raste. Nga këto raste, të shëruar kemi 271 persona. Fatkeqësisht, kemi 11 vdekje, ndërsa raste aktive kemi 126 sosh.
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit ka thënë se të gjitha këto raste, janë nën kontroll të plotë nga organet kompetente, si dhe nga Komuna e Gjilanit.
“Do t’ju qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë të tyre. Ndërkaq, nga Komuna e Gjilanit jemi në pritje të 51 mostrave të reja, nga datat 23/24 dhe 25 korrik. Sa i përket numrit të pacientëve pozitiv me COVID19 në Repartin e Infektivës në Gjilan, janë të shtrirë për trajtim 25 pacientë me COVID19”, ka thënë Ismajli.
Ai ka kërkuar të vazhdojnë qytetarët t’i respektojnë të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Virusi ka shtirje në çdo vend. Ta ruani vetën dhe familjarët tuaj. Vetëm të bashkuar, mund ta ndalim infeksionin i cili ende po arrin shtrirje dhe po gjen vend në mes nesh”, ka thënë nënkryetari Ismajli. /2LONLINE.com/