Organizuar nga gratë e Komunës së Gjilanit, me pjesëmarrje të zonjave të ndryshme në qendër të qytetit sot është mbajtur një protestë paqësore me moton ‘Boll ma dhunës ndaj grave’ dhe njëkohësisht është kërkuar promovim i të drejtave të grave dhe ndalimin njëherë e përgjithmonë të dhunës ndaj femrës në përgjithësi.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit të Komunës, Gjylishene Berisha, aktiviste e përhershme e kauzës për të drejtat e grave dhe Ajeta Maka nga shoqëria civile, kanë bartur mesazhin e përbashkët për tolerancë familjare, pavarësimin e femrës, përkrahjen, respektimin e vlerave njerëzore të femrës si grua dhe si nënë e cila është shtylla kryesore e familjes.
Ato, gjithashtu, kanë ftuar të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të bëjnë më shumë për të drejtat e grave dhe trajtim të barabartë me burrat.