Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën me gazetarë, të mbajtur të premten, ka potencuar se angazhimi i Komunës është në bazë të prioritetit më të lartë, atë për ruajtjen e shëndetit publik në këtë kohë pandemie, duke mos lënë anash në asnjë moment edhe mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe dinamikën e investimeve.
Gjithashtu, një angazhim maksimal është duke u dhënë edhe për fushën e arsimit dhe procesin e fillimit të vitit shkollor, për çka kemi marrë raportin dhe drejtorët e shkollave janë duke organizuar takime të rregullta, duke bërë përgatitjet maksimale për kthimin e nxënësve në shkolla.
Kryetari Haziri ka bërë shpalljen publike të aktiviteteve, sikur që është monumenti i gruas, i inicuar nga gratë deputete dhe gratë këshilltare komunale, për çka Komuna e Gjilanit në shenjë respekti, ka ndarë edhe çmimin “Heroina e Qytetit”.
“Ky monument është për ta respektuar, vlerësuar dhe çmuar aktivitetin e gruas në gjitha periudhat e historisë së qytetit tonë. Monumenti i dytë është i “Gurbetqarit”, që është po ashtu në respekt për punën, solidaritetin, mbështetjen, pjesëmarrjen dhe ndërtimin e ëndrrës sonë, që e bënë baballarët tanë. Njëkohësisht, në 6 vende të ndryshme të qytetit, do të bëhet vendosja e skulpturave, punimeve dhe veprave artistike që identifikojnë dhe i japin pamje Gjilanit, që do të udhëhiqet nga ekipi profesional prej Deniza Limanit, Bekim Bajramit, Erson Zymberit dhe Bekim Korça, që bëjnë përshkrimin dhe gjetjen e vendeve për to”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.
Aktiviteti i dytë i prezantuar nga kryetari Haziri, është faza e dytë e bulevardit të qytetit, ku do të hapet konkurs për pamjen dhe prioritetet në largimin e ndërtesave të vjetra.
“Kjo parasheh largimin e objektit të Policisë Regjionale, ish-Ekzekutivit të Komunës, 70 përqind e ndërtesës së burgut ngase pjesa tjetër do të jetë e konzervuar për kujtesë dhe muze të qytetit, si dhe riorganizimi, apo lidhja e bulevardit të qytetit me rrugën “Madeleine Albright”, rrugën “Adem Jashari”, “Mulla Idriz Gjilani” dhe rrugës së Tregut, kjo për arsye që në të ardhmen një pjesë e madhe e qytetit do të jetë e mbyllur dhe në funksion të qytetarëve”, ka thënë ai.
Fokusi i tretë është riorganizimi i brendshëm, në bazë të standartizimit që ka aprovuar Kuvendi Komunal, për pozicionet e punës, pozicionet e shërbyesve civilë, gradat e tyre, emërimet dhe shkallën e përgjegjshmërisë.
Kryetari Haziri ka bërë të ditur se është liruar nga detyra drejtori i QKMF’së, në kuadër riorganizimit në shëndetësi, urbanizëm, prokurim dhe tatim në pronë, në fazën e parë.
“Sa i përket tatimit në pronë, Komuna ka inkasaur në nivelin prej 102 për qind dhe jemi falënderues për qytetarët që edhe në këtë kohë pandemie janë lojal me institucionin e shtetit duke paguar obligimet e tyre”, tha ai.