Mbahet ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të njësisë Komando-Bereta

Mbahet ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të njësisë Komando-Bereta

Në Aeroportin e Gjakovës Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mbajti sot ceremoninë e përfundimit të trajnimit tre mujor „Komando – Bereta“.Në ceremoni morën pjesë, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, zv. ministrja Sadika Kofrc, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MM, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj, si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.

Fillimisht, pjesëtarët që përfunduan trajnimin Komando-Bereta, demonstruan shkathtësitë e tyre, në tri disiplina si: Artet Marciale, Qitje me tranzicion dhe Neutralizim të objektivit me rëndësi të lartë, të cilat u përcollën me vëmendje nga të gjithë mysafirët.

Me këtë rast, ministri Quni, përgëzoi stafin dhe të gjithë pjesëtarët e trajnimit, duke u shprehur se: “Ju kemi përcjellë gjatë tërë kohës dhe jemi të njoftuar se jeni përballur me kushte të rënda atmosferike, me marshime të gjata, ky është programi i trajnimit nëpër të cilat duhet të kalojnë njësitë elite. Ju nesër do të merrni detyra, FSK-ja në përgjithësi do të ketë detyra të reja si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjithnjë në shërbim të stabilitetit dhe paqes. Ju do të jeni të parët që do të përballeni me rrezikun dhe ju do të jeni të fundit që do të tërhiqeni. Ju jeni forca elite goditëse e FSK-së dhe ju jeni po ashtu edhe forca mbrojtëse e FSK-së. Kjo nuk mbaron me kaq ne dëshirojmë të ju shohim në misione paqeruajtëse krah për përkrah me ushtarë të miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët po na përkrahin me programe dhe projekte të ndryshme, që ne të bindim komunitetin ndërkombëtar se nuk jemi rrezik për rajonin, por përkundrazi jemi faktor i paqes dhe sigurisë”.

Ministri Quni përmbylli fjalën e tij duke ju uruar suksese të reja të gjithë ushtarëve si njësi dhe secilit personalisht në realizimin e detyrave.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, në fjalën e tij u shpreh i kënaqur me realizimin e këtij trajnimi dhe me rezultatet e treguara të pjesëtarëve të FSK-së.

Ai, pos tjerash tha: „Ne jemi ata që përcaktojmë se si do të duket ushtria e jonë. Ne jemi ata që duke vendosur standarde të larta në të gjitha fushat, shtrojmë rrugën për gjeneratat e reja, dhe bëhemi shembull se si duhet të ecim përpara. Me këtë trajnim, Ju jeni bërë shembull shumë i mirë i kësaj. Gjatë këtij trajnimi, ju treguat performancë, angazhim dhe përkushtim të lartë. Dhe kështu keni vendosur standard jashtëzakonisht të lartë për gjeneratat e ardhshme. Unë ju përgëzoj për këtë. Me lejoni që të falënderoj dhe përgëzoj edhe oficerët dhe nënoficerët që e mundësuan këtë trajnim. Profesionalizmi që treguar gjatë këtij trajnimi mjaft të vështirë dhe kompleks, tregon që FSK ka avancuar shumë, dhe është e aftë të koncepton, dizajnon dhe kryen trajnime edhe më komplekse”.

Në fund të ceremonisë, për kursantët të cilët përfunduan me sukses trajnimin dhe instruktorët të cilën mundësuan realizimin, u ndanë certifikatat dhe „Beretat e Gjelbërta“.

KOMENTE